Në garën me kohën, ushtarët e Maqedonisë së Veriut u përpoqën të shpëtonin jetë njerëzish në misionin e tyre në Turqi, e gëzimi më i madh ishte shpëtimi i një fëmije 5-vjeçar nga rrënojat në Turqi.
Këta ushtarë u pritën në vend me ceremoni të lartë. “Na keni bërë krenarë me ndihmën që ke dhënë”, ishin fjalët e presidentit Stevo Pendarovski, cili falënderoi ushtarët që ndihmuan në Turqi, pas tërmeteve shkatërruese.
“Ushtria jonë ishte ndër pesë të parat që mbërriti në vend, 24 orë pas tërmetit. Arritjet tuaja në vend ishin, angazhimi 24/7 i të gjithë juve, me gjithë qentë e shërbimit. Nuk ka asnjë vërejtje, as nga popullata vendase dhe as nga të tjerët. Si anëtare e NATO-s, ne duhet të fokusohemi në fazën tjetër, që është ndihma e atyre që mbijetuan.”, – deklaroi presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
Petrovska: Faleminderit që shpëtuat Sulejmanin e vogël
Edhe ministrja e mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, falënderoi ushtrinë për sakrificën dhe ndihmën që i dhanë popullit turk. Ajo tha se të gjithë ushtarët do të marrin edhe një pagë mesatare, përveç asaj të rregullt, në shenjë falënderimi.
“Ne vendosëm që të dërgonim më të trajnuarit për të përballuar një detyrë kaq të vështirë, duke nxjerrë atë që mund të shpëtohej. Ju faleminderit që shpëtuat Sulejmanin e vogël dhe i dhatë atij një shans. Ne kemi vendosur, përveç gjithçkaje që bëjmë, t’ju shpërblejmë me një pagesë shtesë prej një rroge mesatare.”, – theksoi ministrja e mbrojtjes, Slavjanka Petrovska.
Mehmet Sekizkok: Mirënjohje për ndihmën e RMV-së për popullin turk
Në momente të vështira dallohen miqtë e vërtetë, ndaj ambasadori turk në RMV shprehu mirënjohje për ndihmën që dha Maqedonia e Veriut për popullin turk.
“Turqia përjetoi fatkeqësinë natyrore më shkatërruese dy javë më parë, Maqedonia e Veriut ishte me ne që në momentet e para. E bashkuar në një zemër, Maqedonia e Veriut me Presidentin e respektuar, Qeverinë, institucionet publike dhe qytetarët vullnetarë po mobilizon të gjitha mundësitë e saj për të dërguar ndihma në rajonin e prekur nga tërmeti. Keni parë në vend shkatërrimin e tërmetit, keni ndarë trishtimin e thellë të popullit turk.”, – theksoi ambasadori i Turqisë në RMV-së, Hasan Mehmet Sekizkok.
Ushtarët e Maqedonisë së Veriut qëndruan për 13 ditë dhe ndihmuan në operacionet e shpëtimit, në të cilat nxorën nga rrënojat banorët e qyteteve të prekura.