Gazi në bursa ka rënë në 50 dollarë, Maqedonia paguan dy herë më shtrenjtë

Rezervuarët e mbushur në Evropë dhe kërkesa e dobët kanë ulur në mënyrë drastike çmimin e gazit natyror. Prej dy ditësh në bursat botërore gazi shitet nën 50 dollarë për megavat orë, ndërsa një çmim i tillë nuk ka qenë as para luftës në Ukrainë. Kjo ulje e çmimeve globale nuk do të thotë asgjë për Maqedoninë, sepse kompania shtetërore EMV ka lidhur kontratë me një kompani bullgare që i shet gaz vendit me çmim fiks për tërë muajin në tenderin për furnizimin e gazit natyror. Ne për këtë burim energjie paguajmë rreth 99 euro për megavat orë. Është dyfishi i çmimit të asaj që shitet në bursa. Por, nga EMV-ja justifikohen se ka pasur kosto shtesë për tarifat shtetërore, dhënien me qira të objekteve dhe marzhën e tregtarëve.

“Çmimit bazë i shtohen edhe shpenzimet nga bursa dhe kështu çmimi rritet. Çmimi fiks është kusht i detyrueshëm sepse “EMV- Shitje” duhet të ketë buxhet të siguruar që të mund të pranojë ofertën, të ketë përllogaritje për pagesën e gazit natyror që e paguan paraprakisht dhe t’ua dorëzojë konsumatorëve të tjerë që do ta blejnë nga “EMV- Shitje”, me marzhë jo më shumë se 1%”, thonë nga EMV.

Elektranat Shtetërore nuk janë përgjigjur konkretisht nëse i njëjti kusht për çmim fiks do të zbatohet edhe për tenderin e prokurimit të gazit për muajin mars. S’ka përgjigje edhe për të dhënat se sa para ka shpenzuar Maqedonia më shumë se ky prokurim në raport me çmimin me të cilin shitet gazi në bursa. Në ditët në vijim duhet të shpallet thirrja publike për prokurimin e gazit për muajin mars. Dy tenderët e fundit i fitoi kompania bullgare që furnizon vendin aktualisht me këtë burim energjetik. Gjatë gjashtë muajve të fundit, gazi natyror është bërë më i lirë për 15 për qind, por në nivel vjetor rënia e çmimit është më shumë se 40 për qind. /Alsat.mk