Inteligjenca britanike: Nga 40 mijë deri në 60 mijë forca ruse janë vrarë në Ukrainë

Agjencia e inteligjencës së Britanisë së Madhe ka vlerësuar se nga 40 mijë deri në 60 mijë forca ruse kanë vdekur që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Kjo është hera e parë për këtë vit që britanikët japin të dhëna rreth rusëve të vrarë, pasi të njëjtën gjë e kishte bërë në shtator të vitit të kaluar duke njoftuar se rreth 25 mijë trupa kishin vdekur.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se rreth 175-200 mijë forca ruse ishin vrarë ose plagosur në total, raporton skynews.

“Shkalla e viktimave ruse është rritur ndjeshëm që nga shtatori i vitit 2022 kur u imponua ‘mobilizimi i pjesshëm’”, thuhet në përditësimin e fundit.

Ministria shtoi se grupi mercenar rus, Wagner ka dërguar një numër të madh të dënuarish në Ukrainë – dhe kjo “ka bërë ndoshta që të rritet shkalla e viktimave për 50 për qind”.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar viktima të shumta dhe dëme materiale.