Ndihma të shumta nga Maqedonia e Veriut në zonat e prekura nga tërmeti

Dy kamionë me 25 tonë ushqime dhe materiale higjienike si dhe 4 mijë batanije janë nisur drejt vendeve të prekura nga tërmeti në Turqi. Këto janë ndihmat e para të Kryqit të Kuq që nisen drejt rajoneve të prekura dhe përveç tyre, kjo organizatë po grumbullon edhe para përmes numrit për donacion dhe xhirollogarive bankare. Deri sot janë grumbulluar gjithsej 407.000 euro, prej të cilave 194.000 euro vetëm nga linjat telefonike.

“Jam shumë i bindur se shumë shpejtë, brenda javës që vjen të mundemi përsëri që ndihmë humanitare të kësaj natyre dhe përmase të dërgojmë në viset e prekura në Turqi kësaj radhe. Në Siri për fat të keq me ndihmë humanitare nuk mund të mbërrijmë në këtë formë, por me mobilizimin e mjeteve financiare besoj se do ta ndihmojmë edhe popullin e Sirisë”, deklaroi Sait Saiti, Kryqi i Kuq i Maqedonisë Së Veriut.

Ambasadori turk në Shkup, falënderoi të gjithë për angazhimin dhe ndihmat e shumta nga Maqedonia e Veriut që veçmë kanë mbërritur në zonat e prekura nga tërmetit.

“Në bashkëpunim me ambasadën e Republikës së Turqisë në Shkup, përmes organizatave të ndryshme, kompanive dhe me ndihmën e vëllezërve dhe miqve tanë nga ky vend, deri tani janë dërguar 850 tonë prodhime ushqimore, 53 tonë veshmbathje, 27 tonë materiale higjienike, 34.360 batanije, 186 ngrohëse, 37 tenda dhe 18 agregate”, tha Hasan Mehmet Sekizkok, Ambasadori turk në Shkup.

Ndërkohë përmes shitjes së ushqimeve dhe librave dhe gjësendeve të tjera me çmime simbolike në Çarshi të Shkupit, po mblidhen fonde për të prekurit nga lëkundjet e tokës.

“Këto gjëra që do të shiten këtu, paratë do të shkojnë në bankë, për të prekurit nga Tërmeti në Turqi….Formalisht e kemi bërë 100 denarë, por ka shumë njerëz që paguajnë diçka më shumë, ose japin të holla dhe nuk marrin asgjë”, tha Lejla Sherif Emin, përfaqësuese e shoqatës “Kopru”.

Humanizmi po dëshmohet në të gjitha fushat. Piktori tetovar, Nevzat Kica ka nxjerrë në ankand pikturat e tij, ndërsa paratë e grumbulluara do të dedikohen për Turqinë dhe Sirinë.

“Unë zgjodha këto dy piktura, të cilat shkojnë në ankand personal, privat timin dhe çmimi do të jetë i fillimit 50 euro, ai I cili do të ofron çmimin e tretë ai do t’i merr… për donacionin Siri dhe Turqi”, tha Nevzat Kica, piktor.

Përveç Qeverisë, komunave, të cilat kanë ndarë buxhet për të ndihmuar zonat e tërmetit, shumë organizata, kompani e individë po organizojnë një sërë aktivitetesh për sigurim të fondeve. /Alsat.mk