Komisioni Evropian sot propozoi sigurimin e 100 milionë eurove ndihmë makro-financiare në formë kredie për Maqedoninë e Veriut si mbështetje për qëndrueshmërinë fiskale dhe reformat strukturore për vitin 2023 dhe 2024, në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, si dhe pasojat që ndjen vendi për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha: “Ne qëndrojmë pranë Maqedonisë së Veriut në këto kohëra sfiduese. Sot, ne propozojmë deri në 100 milionë euro ndihmë makro-financiare për të mbështetur ekonominë e vendit, duke kontribuar në mbulimin e nevojave financiare në dy vitet e ardhshme”.
Asistenca makro-financiare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me partnerët fqinjë dhe partnerët e zgjerimit dhe synohet si një instrument i jashtëzakonshëm reagimi ndaj krizave për partnerët e BE-së. Ajo tregon solidaritetin e BE-së me këta partnerë dhe mbështetjen e politikave efektive në një kohë krize të paprecedentë.