Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbërritën të enjten në Kiev me një mesazh mbështetjeje për popullin ukrainas, në një kohë kur presidenti i Ukrainës paralajmëroi për një ofensivë nga forcat ruse në prag të përvjetorit të parë të sulmit nga Moska. “Ne jemi këtu së bashku për të treguar se BE-ja është më shumë se kurrë në krah të Ukrainës si dhe për të thelluar më tej mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë”, shkroi në Twitter presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Joseph Borrel tha se delegacioni po qëndron në Kiev për të përcjellë mesazhin se “Bashkimi Europian mbështet çdo ukrainas që po mbron vendin”. Ai shtoi se ”Bashkimi Europian qëndroi në krah të Ukrainës, që kur Rusia nisi luftën dhe do të vazhdojë të qëndrojë deri në fitoren dhe rindërtimin e Ukrainës”. Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe Ukrainës pritet të takohen në një mbledhje të nivelit të lartë të premten për të diskutuar mbi reagimin e Bashkimit Europian ndaj konfliktit, përpjekjet për ndihma dhe rindërtimin e saj, sigurinë ushqimore në botë dhe kërkesën e Ukrainës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenksyy tha në një fjalim të mërkurën në mbrëmje se Rusia po synon të arrijë disa fitore në terren, në prang të përvjetorit të parë të luftës në 24 shkurt. “Ne duhet të jemi veçanërisht të bashkuar në këto rrethana, veçanërisht të përqëndruar tek interesi kombëtar dhe për pasojë, të qëndrueshëm, tha zoti Zelenskyy. “Kam besim se kështu do të jemi”.
Ai vuri në dukje atë që e cilësoi si rritje të akteve të sulmit në lindje të Ukrainës, duke shtuar se gjendja “po ashpërsohet edhe më shumë”. Prej disa muajsh, forcat ruse janë përpjekur të marrin nën kontroll qytetin e Bakhmutit, në rajonin e Donetskut. Në qytetin e afërt të Kramatorskut, ekipet e shpëtimit kërkuan për të mbijetuar në një godinë apartamentesh që u shkatërrua nga një raketë ruse. Sulmi vrau së paku tre persona dhe plagosi 20 të tjerë.