Rusia, sulme të reja në lindje të Ukrainës

Trupat ruse nisën një valë të re sulmesh ndaj pozicioneve ukrainase dhe vendbanimeve civile, tha ushtria e Kievit, ndërsa luftimet e ashpra vazhduan pandërprerë në lindje të Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, ka deklaruar se situata në terren është “shumë e vështirë” pasi forcat ruse po bëjnë “përpjekje të vazhdueshme për të thyer mbrojtjen tonë”. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raportoi tri sulme ajrore ruse dhe katër sulme raketash, si dhe më shumë se 60 sulme nga sistemet raketore që synonin vendbanimet ukrainase. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë pajtuar që t’i japin Ukrainës tanke Abrams dhe Leopard 2, respektivisht, përderisa Mbretëria e Bashkuar më herët gjatë janarit tha se do të dërgojë 14 tanke të llojit Challenger 2. Gjermania po ashtu do të lejojë shtetet tjera, sikurse Norvegjia dhe Polonia, që t’i dërgojnë Ukrainës tanket gjermane Leopard 2.