Osmani-Kyuchyuk: Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të jenë të përkushtuar në intensifikimin e dialogut politik, me qëllim kthimin e besimit

Rruga evropiane do të ndikojë pozitivisht në konsolidimin demokratik dhe ekonomik të vendeve të rajonit, vlerësuan në takimin e sotëm në Bruksel ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Në takim, siç thuhet në njoftimin e MPJ-së, është biseduar për të rejat e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, lidhur me sulmin fizik ndaj sekretarit të klubit bullgar në Ohër, Hristijan Pendikov.

Ministri Osmani theksoi se deklaratat provokuese dhe fyese të një deputeti të Parlamentit Evropian sigurisht që nuk kontribuojnë në atmosferën e përgjithshme në këtë periudhë, për të cilën, siç tha, tashmë janë bërë reagime të duhura zyrtare.

“E informova eurodeputetin Kyuchyuk për përpjekjet për de-eskalim të retorikës së tensionuar në marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe nevojës për kthimin e dinamikës pozitive në marrëdhëniet tona” tha Osmani. Nga atje shtojnë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të jenë të përkushtuar në intensifikimin e dialogut politik, me qëllim kthimin e besimit.