Hyrja e ASH-së në Qeveri, sot takimi Kovacevski-Taravari

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot do të takohet me kryetarin e Aleancës për SHqiptarët (ASH), Arben Taravari për hyrjen e mundshme të kësaj partie në koalicionin qeverisës.

Kryeministri Kovaçevski dje në një deklaratë për media ka konfirmuar se sot do të ketë takim me kreun e ASH-së ku do të diskutohet për koalicionin qeveritar.

“Do të kemi një takim me Taravarin. Do të diskutojmë progresin që nga hera e fundit që jemi parë, por do të diskutojmë edhe bashkëpunimin e mundshëm dhe zgjidhjet ligjore dhe programore që mund të përmirësojnë kapacitetet e shtetit dhe të Kuvendit dhe marrja e këtyre vendimeve për realizimin e planit tonë është synimi që vendi të jetë shtet anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, theksoi Kovaçevski.

Sa i përket çështjeve kadrovike, Kovaçevski theksoi se nuk është diskutuar, por nëse ai dhe Taravari gjejnë gjuhë të përbashkët në politikat programore dhe në fushën e zgjidhjeve të sistemit juridik, mund të diskutohen.

Kryeministri tha se pajtohet me partnerët e koalicionit me të cilët është takuar së fundmi që bilanci në Qeveri të mbetet i tillë.

Sipas tij, zgjerimi i mazhorancës në Kuvend do të nënkuptojë rritje të kapaciteteve, punë më efikase, marrjen më të shpejtë të vendimeve që do të nënkuptojnë integrimin e shtetit në BE, por edhe miratimin e ligjeve që nënkuptojnë cilësi evropiane në në shtëpi.

Taravari ka theksuar se kanë përgatitur një program prej pesë pikash, si pjesë e kërkesave të tyre ndaj shumicës parlamentare.

Ai thotë se nëse ato pika programore janë të pranueshme, atëherë do të negociohet edhe për zgjidhje kadrovike. Kreu i ASH-së nuk ka dashur të zbulojë më shumë detaje se cilat janë pesë pikat e tyre, para takimit me kryeministrin Kovaçevski, përcjell INA.

“Tashmë kemi përgatitur një program me pesë pika në të cilin do të jenë kërkesat tona për mazhorancën, për Qeverinë. Nëse ato janë të pranueshme për ta, ne do të vazhdojmë të negociojmë zgjidhjet kadrovike. Nëse ata nuk janë gati, atëherë mendoj se së shpejti duhet ta përfundojmë këtë histori. Ose do të arrijmë së shpejti një marrëveshje ose do të vazhdojmë në opozitë. Do të veprojmë ashtu siç kemi vepruar në shtatë apo tetë vitet e fundit”, tha ai në debatin publik me temën “Për një reformë reale të decentralizimit fiskal” organizuar nga Instituti për Politika Publike “Arben Xhaferi”.

Në pyetjen e një gazetari nëse ndër këto kërkesa është edhe ajo për garanci për ndryshimet kushtetuese, Taravari ka thënë se pakoja e masave që kanë paraqitur para opinionit, faktorit ndërkombëtar dhe partive të tjera politike do të jetë kërkesa e tyre kryesore.

Ai tha se fillimisht do të shohin nëse kërkesat e tyre programore janë të pranueshme dhe nëse jo, atëherë do të vazhdojnë të veprojnë si opozitë. Pavarësisht nëse do të jenë pjesë e koalicionit qeveritar, Taravari mendon se ky vit nuk duhet të jetë vit zgjedhor, pasi siç tha ai, të tilla janë rekomandimet e “të gjithë miqve”.