Rikthehet Korridori 8, lidhja e rëndësishme Shqipëri-Maqedoni-Bullgari

Pas gati 30 vjetësh, projekti i “Korridorit 8” kthehet si pjesë e infrastrukturës kryesore europiane TEN-T. Ky klasifikim do të angazhojë fonde për të përfunduar aksin rrugor, hekurudhën, portet etj., e me standardet më të larta të BE-së, deri në vitin 2030. Projektet në këtë aks, për momentin, janë kaotike, por Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria e kanë shpallur këtë projekt strategjik. Situacioni i punimeve në pjesën shqiptare të rrugës dhe hekurudhës. “Korridori 8” është projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, pasi do të çojë në një rang tjetër flukset në porte, aeroporte dhe logjistikë

Infrastruktura e Shqipërisë është para një potenciali të ri zhvillimi, pas përfshirjes së “Korridorit 8” (Durrës – Përrenjas – Maqedoni e Veriut, pjesa shqiptare) në rrjetin kryesor europian TEN-T nga Parlamenti Europian në fillim të dhjetorit 2022.

Rrjeti Trans-Europian i Transportit (TEN-T) bazohet në një plan të qartë zhvillimi të infrastrukturës kryesore rrugore dhe hekurudhore në mbarë Europën, ku përfshihen edhe linjat ujore, portet, aeroportet dhe terminalet hekurudhore.

Objektivi final është mbyllja e boshllëqeve në infrastrukturë dhe fuqizimi ekonomik i rajoneve në Europë deri në vitin 2030, afate të cilat vlejnë edhe për Korridorin 8.

Së bashku me Korridorin 10, në territorin e Shqipërisë, kalojnë dy linja rrugore të rëndësishme europiane, të cilat do të bëhen shkak për fuqizimin e së gjithë infrastrukturës tjetër mbështetëse për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave dhe sidomos fuqizimin e porteve shqiptare në Adriatik. Përfshirja në rrjetin TEN-T e bën projektin të financueshëm nga BE me grante dhe kredi me interesa të favorshme.

Korridori 8 u projektua si pjesë e Rrjetit Pan-Europian në Konferencën e Kretës në vitin 1994, me qëllimin që të financohej dhe të përfundonte në 15 vitet e ardhshme, por më vonë, projekti mbeti në hije, për shkak të zhvillimit të rrjeteve Lindje-Perëndim pak më lart se Mesdheu, të nxitura nga investimet e Kinës në infrastrukturë dhe përparësisë që morën rrjetet rrugore Veri – Jug.

Adrian Haçkaj, drejtor kërkimi në Institutin për Kërkim dhe Zhvillim (ICD), lobuesi kryesor për pjesën shqiptare, thotë se, me përfshirjen e Korridorit 8 në rrjetin TEN-T, për herë të parë infrastruktura e Ballkanit Perëndimor është pjesë integrale e korridoreve europiane dhe jo më si zgjatim.

Gjurma kryesore e Korridorit 8 përfshin portet detare dhe lumore, aeroportet, portet multi-modale, rrugët dhe hekurudhat, me një total prej 1270 km hekurudha dhe 960 km rrugë. Ai shkon nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindisit në portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve – Tiranë, Shkup, Sofje – përmes Plovdivit, duke përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.

Një veçori shtesë e Korridorit 8 janë pikat fundore të tij, që të dyja janë porte detare, duke lejuar lidhje të pandërprerë me BE-në dhe transportin detar botëror.
Korridori 8 siguron lidhje edhe me tre rrjete të rëndësishme rrugore, Burgas-Svilengrad-Ormenion, që e lidh atë me Korridorin 4, 9 dhe Rrjetin Transeuropian.

Pjesa shqiptare e Korridorit 8
Portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës parashikohen të luajnë rol të madh në këtë kuadër të investimeve në Korridorin 8, pasi me përfundimin e këtij aksi me hekurudhë, volumet në këto porte mund të rriten deri në 40%, – thotë një studim i fundit “Situata aktuale dhe e ardhmja e Korridorit 8”, i financuar nga Bashkimi Europian.
Studimi vë në dukje se Korridori 8, si pjesë e Rrjetit Paneuropian, do të jetë i rëndësishëm për financimin e objekteve të reja (terminalet e mallrave dhe pasagjerëve, qendra logjistike, magazina, të cilat në pjesën shqiptare mungojnë.Në pjesën shqiptare, Korridori 8 do të ndihmohet ndjeshëm nga investimet që po kryhen në linjën e re hekurudhore, Durrës – Tiranë – Rinas dhe një projekt për të aktivizuar linjën ekzistuese hekurudhore, Durrës – Lin (Pogradec).
Aktualisht mungon një distancë prej 2.8 km linjë hekurudhore që mund t’i mundësojë Shqipërisë lidhjen me Maqedoninë e Veriut. Më tej, nga Maqedonia e Veriut, hekurudha kalon në Sofje dhe përfundon në Plovdiv, duke u degëzuar në portet e Burgasit dhe Varnës. Qeveria e Shqipërisë në Strategjinë Sektoriale të Transportit, e konsideron Korridorin 8 me rëndësi strategjike.

Situacioni i aksit rrugor në pjesën shqiptare

Korridori 8 shtrihet afërsisht në 154 kilometër në territorin shqiptar. Si segment i parë i Korridorit 8 do të jetë Bypass-i i Tiranës që njëkohësisht do të shpërbejë edhe për Korridorin 10, edhe për Korridorin 8. Për këtë aks është kryer studimi i fizibilitetit dhe do të financohet nga BE. Aksi është 21 kilometra dhe do të kushtojë 190 milionë euro. Gjerësia e rrugës do të jetë 35 metra, si një autostradë e tipit A.

Aksi tjetër vijues i Korridorit 8 është rruga Tiranë – Elbasan, që ka përfunduar tashmë. Ndërkohë ka përfunduar edhe ndërtimi i Bypass-it të Fierit dhe të Vlorës, që ndihmojnë qarkullimin Lindje-Perëndim.

Ministria e Infrastrukturës, në shpjegimin mbi ecurinë teknike të punimeve në Korridorin 8, thotë se në pjesën shqiptare, pika dalëse në Maqedoninë e Veriut e Korridorit 8 do të jetë ura e Bushtricës në Përrenjas, për të shmangur lartësinë që krijon dalja në Qafë-Thanë.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka shpjeguar se, aski tjetër i Korridorit 8, segmenti i parë Bypass-i i Elbasanit që del në Labinot-Fushë dhe do të financohet nga buxheti i shtetit. Autoriteti Rrugor Shqiptar tashmë po kërkon kompaninë që do të bëjë “Studim, projektim, Bypass Elbasan” duke e rifreskuar projektin me parametrat që kërkon Korridori 8.

Unaza aktuale e qytetit të Elbasanit nuk ka parametrat e nevojshëm për të përballuar trafikun në rritje të këtij korridori ndërkombëtar. Projekti është menduar të nisë nga fundi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe të përfundojë në dalje të qytetit në Labinot-Fushë.

Më tej, nga Labinot-Fushë drejt Përrenjasit, 5.8 kilometra janë tenderuar, pasi është zgjedhur kompania dhe po vijohet me ngritjen e kantiereve. Punimet pritet të përfundojnë për 24 muaj, sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës.

Më tej, Korridori 8, në pjesën shqiptare, vijon edhe me dy lote të tjera deri në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Infrastrukturës po rishikon lotin e tretë në doganën e Qafë-Thanës. Devijimi po bëhet për të ulur lartësinë mbi nivelin e detit të rrugës dhe kjo gjithashtu shkurton disa kosto në pjesën e Maqedonisë së Veriut, pasi atyre u duhet të ndërtonin një tunel për të dalë në Qafë – Thanë.

Pika e daljes nga ura e Bushtricës i shkurton kostot. Nga Elbasani në Përrenjas, Korridori 8 do të kalojë në një trase krejt të re, e cila do të shtrihet përgjatë lumit Shkumbin, duke shmangur punimet në mal.

Zhvillimet në infrastrukturën rrugore të Korridorit 8 janë pak kaotike, pasi projekti prej vetëm pak javësh u përfshi në rrjetin kryesor europian dhe shtetet që përfshihen në këtë aks po ndërtojnë me standarde të ndryshme. Në pjesën maqedonase, Korridori 8 është me 6 korsi, ndërsa në pjesën shqiptare, me 4 korsi. (monitor.al)