Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj thotë se njohja e Kosovës nga Serbia është në planin e Bashkimit Evropian për dialogun. Ai kërkon nga kryeministri Albin Kurti që të tregojë a e pranon këtë plan, pasi deri më tani nuk ka dhënë një përgjigje definitive.
Në anën tjetër, lideri i AAK-së, konfirmon pjesëmarrjen e partisë së tij në takimin e ftuar nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë për Asociacionin më 31 janar, por kritikon Kurtin se përmes qasjes së gabuar ka sjellë Asociacionin në qendër të marrëveshjes me Serbinë. Sipas tij, amerikanët po angazhohen në mënyrë strategjike që t’ia bëjë më të lehtë Kurtit ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me i ikë përgjegjësisë. Haradinaj thotë se në planin e BE-së, apo të ashtuquajturin planin franko-gjerman për dialogun, është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë, pasi Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar dhe hap perspektivën për partneritet për paqe.
Ramush Haradiaj, kryetar i AAK-së
“Është njohja në dokument. Këtë dokument që e kemi para vetës është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë. E vetmja gjë që mungon është bilateralja, vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Pra Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar, bashkëpunon me Kosovën si shtet i pavarur me të gjitha të drejtat e barabarta midis dy vendeve. Kjo na hap perspektivën për partneritet për paqe dhe ecim përpara. A duhet më shumë, ku me marrë më shumë, por jo me këtë njeri që po e kthen Kosovën secilin hap më prapa. Çdo ditë që vonohet unë besoj se pasojat do t’i rriten Kosovës”.