Pesë persona humbën jetën ndërsa 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur si pasojë e një varke që ishte nisur drejt SHBA nga bregu kuban, njoftuan mediat zyrtare vendase.
“Raportohet për pesë vdekje, të mbijetuarit thanë se përplasja ishte shkaktuar nga dallgët,” sipas medias Cubadebate.
Pas një telefonate në shërbimet e urgjencës, dy mjete të rojes bregdetare shkuan në vendngjarje dhe shpëtuan njëmbëdhjetë persona.
12 persona të tjerë janë të zhdukur, sipas të njëjtit burim.
Emigrantët, nga Cardenas, 115 kilometra në lindje të Havanës, u larguan ilegalisht më 23 janar, nga vendndodhja e Torondela, me synimin për të arritur në SHBA.
Kuba, e goditur nga një krizë ekonomike, po përjeton një eksod që karakterizohet si i paprecedentë, veçanërisht në SHBA.
Disa po përfitojnë nga fakti që nga fundi i vitit 2021 janë të lirë të shkojnë pa viza në Nikaragua, një aleat i Kubës, për të kaluar në territorin e SHBA-së nëpërmjet Amerikës Qendrore. Imigrimi i paligjshëm nga deti përmes ngushticës së Floridës (140 km) është rritur gjithashtu muajt e fundit.
Që nga 1 tetori, Roja Bregdetare e SHBA ka kapur 5,321 kubanë në det, krahasuar me 6,182 me një vit më parë (shtator 2021-shtator 2022).
Uashingtoni njoftoi masa të reja të kontrollit kufitar në fillim të janarit për të frenuar flukset e imigracionit nga Amerika Latine dhe Karaibet.
Ndër këto masa janë dëbimet e menjëhershme të shoqëruara me ndalimin e rihyrjes në SHBA për pesë vjet.