RMV, studentët që deri tani nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e racionit të subvencionuar, mund të aplikojnë në thirrjen e re

Studentët që nuk e kanë shfrytëzuar ende të drejtën e racionit të subvencionuar studentor mund ta bëjnë këtë duke aplikuar në thirrjen e re publike që Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e shpalli dje, transmeton Portalb.mk.

Konkursi është i qasshëm në sistemin “e-shërbime” të MASh-it dhe është i hapur deri më 31 janar, pra deri të martën. Në rubrikën “Konkurse – Arsim” mund të gjeni thirrjet për secilin universitet veç e veç.

Në konkurs mund të aplikojnë të gjithë studentët e rregullt të studimeve deridiplomike në institucionet e larta arsimore shtetërore dhe private, të cilët janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht, aplikantët duhet të plotësojnë edhe kushtet: të mos jenë në punë të rregullt, të mos jenë të regjistruar si fermerë individualë dhe të mos kenë të ardhura mujore mbi asnjë bazë më të madhe se paga minimale neto në vitin aktual.

Studentët mund t’i gjejnë formularët e nevojshëm për aplikim në thirrjen e publikuar më herët në MASh dhe Ministria sipas detyrës zyrtare do t’i sigurojë të gjitha dëshmitë e tjera për plotësimin e kushteve, të cilat i posedojnë institucionet tjera si MPB, AP, DAP dhe fakultetet.

Ndryshe, studentët që kanë shfrytëzuar të drejtën e ushqimit të subvencionuar studentor, subvencionet i presin për muajin dhjetor. Ministria njoftoi javën e kaluar se mjetet mbi këtë bazë do të paguhen deri në fund të muajit.