Strugë, migrimi ul shifrat e të papunëve, problem mungesa e punëtorëve të kualifikuar

Papunësia në Strugë ka pësuar rënie me 10% në krahasim me vitin e kaluar. Një nga arsyet është edhe trendi i migrimit. Personat e kualifikuar largohen drejt vendeve të Evropës, për kushte më të mira. Nga zyra rajonale e Entit për punësim thonë se mungojnë punëtorët e kualifikuar në sektorin e hotelerisë dhe personel mjekësor.

“Në bazë të kërkesave të punëdhënësve kemi deficit të kuadrove, sidomos të kuadrove të cilët janë kualifikues dhe zanat, por kemi deficit edhe të laborantëve, motrave medicinale kemi edhe të mjekëve. Duke e marrë parasysh se Struga është vend turistik, po ashtu kemi kërkues edhe të personave që janë të kualifikuar kamarier, barmen edhe persona që janë gatues ose gastronom.”, – deklaroi drejtoresha tek Enti për punësim në Strugë, Elvadina Dika.

Sipas tyre, ka mjaft punëkërkues aktivë por edhe shumë të tjerë që regjistrohen vetëm për sigurimin shëndetësor.

“Deri më 11 janar, në aspektin e karakteristikave që i shqyrtojmë, kemi 3.123 kërkues aktiv të punës. Kemi dy kategori të paraqitjes së papunëve, atyre që janë aktiv dhe pasiv. Ka një trend të cilët personat mendojnë se nëse paraqiten si të papunë do të kenë sigurim shëndetësor që e siguron shteti dhe ajo është paraqitja e papunëve, vetëm për sa i përket sigurimit shëndetësor.”, – u shpreh drejtoresha e Entit për punësim në Strugë, Elvadina Dika.

Në listën e të paraqiturve si të papunë në Strugë ka një numër të madh të personave me arsim të lartë, por nuk ka magjistër dhe doktorë shkencash.