Nëse një vit më parë çmimi mesatarë i banesave të reja në Shkup ka qenë 1,100€ për m2, tani çmimi i të njëjtave ka arritur dyfishin në qendër të kryeqytetit. Sivjet kriza ekonomike ka ndikuar më së shumti në sektorin e ndërtimtarisë. Sipas Bankës Popullore të Maqedonisë, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar çmimet e banesave janë rritur mbi 20%.
“Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tremujorin e tretë rritja ishte 21.2%, në të dytin 16.5%, ndërsa në tremujorin e parë rritja ishte 12.4%, Rritje dyshifrore ka pasur edhe në tremujorin e fundit të vitit 2021, më parë rritja e çmimeve ishte një shifrorë dhe varionte nga 2 në 6%”, njoftojnë Banka Popullore e Maqedonisë.
Sipas të dhënave nga agjencitë imobilare, çmimet e apartamenteve variojnë nga 1800 deri në 2200 euro për m2 në qendër të Shkupit dhe përreth. Nuk ka askund banesa në shitje nën 1100 euro sikur vjet.
“Të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë se më shumë se 1/3 e totalit të 839 174 apartamenteve janë bosh. 531 987 banesa janë të banuara, ndërsa pjesa tjetër 36,6% ose 307 187 banesa janë bosh. Nga komunat e Shkupit, më së shumti banesa bosh ka Qendra – 10 865 ose mbi 40% nga totali, ndërsa Çairi ka numrin më të vogël të banesave të zbrazëta ose 22,5% nga gjithsej 17 771 banesa”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Ndërtuesit shpjegojnë se rritja e çmimeve ishte pasojë e pashmangshme e rritjes së madhe të çmimit të energjisë dhe materialeve të ndërtimit. Sipas informacioneve të fundit, janë rritur edhe kostot për tarifat komunale me mbi 40% dhe për blerjen e tokës për ndërtim. Por, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, thonë se këto çmime janë të fryra nga që kostoja e investimit është 600-700 për m2.
“Çmimet kanë pasur lëvizje të përgjithshme 25-30% në raport me momentet para krizës. Këto çmime nuk mendoj se janë reale, por nëse i krahasojmë me vendet e rajonit si Shqipërinë, Serbinë apo të tjerat nga Ballkani, mendoj se Maqedonia çmimet i ka më të arsyeshme në raport me këto shtete. Si mesatare çmimi është më i ulët, megjithatë dihet se kriza solli rritjen e gjitha materialeve ndërtimore, nga ana tjetër edhe mungesa e fuqisë punëtore, që janë faktorë në ndikimin e koston e lartë të çmimit”, tha Resul Hani, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive, në raportin për vitin e kaluar, ka shënuar rritje drastike të numrit të shitjeve të regjistruara në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga janari deri në mars 2022 janë regjistruar 5,919 blerje dhe shitje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar 4,766.