“Batalioni i Sudoplatovës është duke pritur vullnetarë nga Europa”, ky ishte titulli i Agjencisë ruse shtetërore të lajmeve të cilët pretendojnë se mes këtyre vullnetarëve ka edhe maqedonas që janë të gatshëm t’i bashkëngjiten luftës kundër formacioneve të armatosura ukrainase. Por, në deklaratën e tij luftëtari i këtij batalioni Andrej Rodianov nuk e konfirmon një gjë të tillë.
“Ка potencial të madh, kam shumë përkrahës dhe njerëz që ndajnë të njëjtat mendime me ne në Europë: në Serbi, Poloni dhe Maqedoni, dhe tani pyetja është nëse këta njerëz do të vijnë tek ne. Në të ardhmen, ndoshta do të ketë një zgjerim të madh”.
Pre e kësaj propagande ruse kanë rënë edhe shumë portale vendase të cilat kohëve të fundit kanë publikuar lajme se shtetas të Maqedonisë së Veriut po i bashkëngjiten formacioneve ushtarake ruse. Një gjë të tillë e mohojnë nga Qeveria. Koordinatori Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Zllatko Apostolloski në bisedë telefonike për TV21 tha se:
“Si Koordinator Kombëtar deri tani nga informacionet e shkëmbyera me institucionet zyrtare nuk kemi marrë të dhëna se shtetas tanë marrin pjesë në qoftë në anë të Ukrainës apo asaj të Rusisë. Nga rajoni ka të dhëna për pjesëmarrës në luftën e Ukrainës por, nga Republika e Maqedonisë nuk ka të dhëna zyrtare për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë. Ne qëndrojmë në të dhënat zyrtare që kanë institucionet tona se nuk kemi shtetas tanë që kanë shkuar. Këto janë të dhënat tona se ne deri tani nuk kemi regjistruar, sepse po të kishim të dhëna një, dy apo 10 persona nuk kemi arsye pse t’i fshehim”.
Apostolloski shton se Agjencia Ruse e Lajmeve plason të dhëna të caktuara për pjesëmarrje të shtetasve tanë në luftë, por pa të dhëna konkrete.
Me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2014 pjesëmarrja në ushtri të huaja dhe organizata terroriste, si dhe rekrutimi dhe trajnimi i personave për pjesëmarrje në ushtritë e huaja, paraqet vepër penale.
SHËRBIMI NË USHTRI ARMIQËSORE – Neni 322, Kodi Penal
(3) Shtetasi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili në kundërshtim të ligjit merr pjesë në ose trajnohet nga ana e ushtrisë së huaj, policisë, formacioneve paraushtarake ose parapolicore, grupeve të organizuara ose si individ, jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të dënohet me burg prej të paktën 4 vjetëve.
Sipas disa të dhënave të Qeverisë në RMV për veprën penale pjesëmarrje në ushtri të huaj, polici, formacione paraushtarake ose parapolicore janë dënuar gjithsej 40 persona prej të cilëve 16 janë duke e vuajtur dënimin me burg tani, ndërsa 24 prej tyre e kanë vuajtur dënimin.