Prodhuesit e duhanit kërkojnë rritjen e çmimit grumbullues në të ardhmen. Këtë e mbështesin në rritjen e kostos së prodhimtarisë, por edhe në inflacionin e madh që po zhvlerëson djersën dhe mundin e tyre. Sivjet janë grumbulluar afër 21 mijë ton me një çmim mesatar prej 288 denarë. Bile këtë vit, shitblerja e duhanit është realizuar para vitit të ri, që si trend nuk mbahet mend deri tani. Me fjalë të tjera edhe pse duhani është grumbulluar një muaj e gjysmë para afatit ligjor, bujqit thonë se duhet të ofrohen çmime reale për mbjelljet e reja me qëllim të mbahet dhe të mos zvogëlohen të mbjellat me duhan.
Gjithashtu, përfaqësuesit e prodhuesve të duhanit thonë se edhe ky çmim nuk është i kënaqshëm karshi kostos, ndërsa vlerësojnë se prodhimtaria do të ulet në rast se nuk kemi rritje të çmimeve grumbullues. “Ky çmim nuk është kush e di sa i lartë karshi shpenzimeve dhe standardin tonë të jetesës. Të rinjtë e kanë të vështirë të mbjellin duhan me këtë çmim, ndaj ju bëjmë thirrje kompanive të korrigjojnë çmimet, të bëjnë çmime të mira dhe viti të fillojë me çmime të mira, me vlerësim real që askush të mos dëmtohet nga vlerësimi i duhanit”, thotë Mende Stomnaroski, kryetar i Shoqatave të Prodhuesve të Duhanit.
Në ndërkohë të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se nga korrja e vitit 2022, përmes grumbullimit që filloi më 15 nëntor nga 10 kompanitë shitblerëse deri më fund të vitit, janë blerë mbi 90 për qind apo afër 20.401 ton duhan.
Njëherësh të dhënat tregojnë se deri në fund të muajit dhjetor janë grumbulluar 16.139 ton të klasit të parë apo afër 80 për qind e totalit të duhanit, në klasën e dytë janë grumbulluar 3981 ton apo rreth 19.7 për qind të totalit të blerë. Me fjalë të tjera, duhani i vitit të kaluar ka qenë me një cilësi të lartë.
Vlera e përgjithshme e duhanit të blerë është rreth 5.8 miliardë denarë, ndërsa shuma e paguar nga kompanitë blerëse është rreth 5.5 miliardë denarë, apo afër 94 për qind. Prodhimi i kontraktuar i duhanit në vitin 2022 është rritur me rreth 8 për qind në raport me korrjen e vitit 2021, për shkak të një rritjeje në sipërfaqe prej rreth 11 për qind në raport me krahasuar me vitin 2021. Gjithashtu, numri i kontratave të lidhura është rritur me rreth 6 për qind në raport me të korrat e vitit 2021. Me fjalë të tjera në vitin 2022 janë mbjellë 1453 hektarë më shumë në raport me 13.237 hektarë në vitin 2021. Njëherësh janë kontraktuar 29.429 marrëveshje apo 1.780 më shumë se në vitin 2021. Mirëpo kjo paraqet një ulje karshi 34.194 kontratave në vitin 2018 kur janë mbjellë 14.802 hektarë me duhan.
Njëherësh për një kilogram të duhanit të dorëzuar tek tregtarët fitohet edhe 80 denarë subvencion shtesë, 70 denarë fitohet për klasën e dytë, dhe 60 denarë për të tretën dhe të tjerat.
Në ndërkohë, kultivuesit e duhanit edhe sivjet do të mund të aplikojnë për mbështetje financiare deri në 10 mijë euro. Paratë janë për blerjen e pajisjeve që do të lehtësojnë prodhimin e tyre. Vitin e kaluar për herë të parë 29 prodhues të duhanit kanë marrë 4,5 milionë denarë nga Programi për zhvillim rural për këtë qëllim.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, sivjet me programin e ri për zhvillim rural, kultivuesit e duhanit mund të fitojnë përkrahje financiare për makineri të reja për mbjellje dhe renditje, si dhe tharëse të reja dhe pajisje tjetër për lehtësimin e prodhimtarisë. Ndryshe, duhani është dega bujqësore tradicionale e shtetit, që është e orientuar drejt eksportit dhe që sjell të ardhura në deviza prej mbi 140 milionë euro në vit . Nga kjo veprimtari bujqësore ekzistojnë mbi 20 mijë familje.