Të paktën dhjetë anije ruse u larguan këtë javë nga baza e Detit të Zi, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe.
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar raportin më të fundit të inteligjencës mbi luftën në Ukrainë.
Aty thuhet se një grup prej të paktën dhjetë anijesh të Flotës Ruse të Detit të Zi u larguan nga objekti detar i Novorossiysk më 11 janar.
“Duke pasur parasysh llojin dhe numrin e anijeve që dalin në det në të njëjtën kohë, aktiviteti ka të ngjarë të jetë një shpërndarje e flotës në përgjigje të një kërcënimi specifik që Rusia beson se e ka identifikuar”, thuhet në përditësim.
Raporti vazhdon duke thënë se nuk ka gjasa që vendosja të nënkuptojë përgatitje për sulme të pazakonta me raketa lundrimi të lëshuara nga deti.
Ai gjithashtu thekson se është “shumë e pamundur” që flota të përgatitet për operacione sulmi amfib.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme materiale.