Fluks i madh pacientësh në repartin e fëmijëve në Strugë. Vetëm në natën e ndërrimit të moteve janë kontrolluar rreth 500 fëmijë. Fluksi ka vazhduar edhe më pas, gjatë Krishlindjeve ortodokse, me mbi njëqind kontrolle në ditë. Fëmijët kryesisht janë me infeksione virale, probleme me frymëmarrjen dhe ftohjet.
“Viruset janë më aktualet, por edhe ato infeksionet e vjetra, një virus respirator sulmon veçanërisht foshnjat e vogla dhe zbret menjëherë në mushkëri duke shkaktuar bronkopneumoni. Pra duhet të shtrohen në spital”, tha Vlatko Mickoski, pediatër.
Siç dihet tashmë, në Strugës janë vetëm pesë pediatër specialistë që kujdesen për trajtimin e fëmijëve nga i gjithë rajoni i Ohrit, Strugës, Dibrës dhe Prespës. Reparti i fëmijëve në Ohër ka mbi një vit që punon vetëm si klinikë ditore, për shkak të mungesës së mjekëve pediatër. Mjekët nga Struga ankohen se janë të mbingarkuar me punë, e nga ana tjetër prindërit ankohen se udhëtojnë për në Strugë dhe presin gjatë për ekzaminim. Kërkojnë që organet të gjejnë zgjidhje.
“Reparti i fëmijëve punon vetëm me dy turne, por nuk i mbulon turnet e natës. Ata nuk kanë staf dhe unë i kuptoj. Dy pediatër në Ohër nuk mund të jenë në detyrë gjatë gjithë kohës”, shtoi Mickoski.
Njoftimi i fundit nga Ministria e Shëndetësisë është se zgjidhja e problemit është në progres dhe se së shpejti në spitalin e Ohrit do të shkojnë dy mjekë pediatër.