Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy vlerësoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën ushtarake të dërguar së fundmi, e cila përfshin edhe automjete të blinduara. Zoti Zelenskyy tha se janë “pikërisht ato që i nevojiten” trupave ukrainase në përpjekjet e tyre për të mposhtur Rusinë.
Të premtën Shtëpia e Bardhë njoftoi detaje të ndihmës prej 3.75 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe fqinjët e saj në krahun lindor të NATO-s.
Kjo është paketa ushtarake më e madhe që i është dërguar deri tani Kievit. Për herë të parë, në të përfshihen automjete të blinduara ‘Bradley’, të njohura si tanket-vrasës, për shkak të raketave antitank që lëshojnë.
Në fjalimin e tij televiziv të premten në mbrëmje, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy e quajti atë “një paketë tejet të fuqishme”.
“Për herë të parë, ne do të marrim automjete të blinduara Bradley. Kjo është pikërisht ajo që na nevojitet. Armë dhe fishekë të rinj, përfshirë ato me precizion të lartë. Raketa të reja, dronë të rinj. Kjo ndihmë vjen në kohë dhe është shumë e fuqishme”, tha ai.
Zoti Zelenskyy falënderoi presidentin amerikan Joe Biden, ligjvënësit amerikanë si dhe amerikanët e thjeshtë që sikurse tha “vlerësojnë lirinë dhe që dinë se ajo ia vlen të mbrohet”./VOA