
Hakuna matata
(Simfoni e çakorduar)
Në shoqërinë e pashoqërueshme,
me ligje të paligjshme,
me pushime pune nëpunësit,
ëmbëlsisht e hidhëruar njerëzia,
hakuna matata*!
Të nxënësve libra kopje origjinale,
prindërit në të heshtur klithje,
dhaskenjtë me seriozitet qesharak,
mediat në heshtje shurdhuese,
hakuna matata!
Pacifist të egër dikur,
me të vërteta të rreme u dëndëm,
të pasur të mjerë më vonë,
(tani me qentë endacakë)
mbetëm vetëm së bashku,
por hakuna matata!
Xhemi Hajredini
Ladorisht, 7 janar 2023
*Hakuna matata – s’ka problem…