Barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e së enjtes. Në një komunikatë për media policia e Kosovës tha se rruga e cila ishte bllokuar më 27 dhjetor në kilometrin e dytë brenda në Serbi, në ora 09:50 është liruar për qarkullim. Policia njoftoi qytetarët dhe bashkatdhetarët se tani pikë-kalimi kufitar Merdare, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”. Personat që ishin të pranishëm në këtë vend ku ishte bllokuar rruga, thanë se ishin pjesërisht të kënaqur me marrëveshjen e arritur mbrëmjen e së mërkurës. Ata theksuan se po veprojnë në koordinim me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova.
Ndërkohë gjatë natës janë djegur dy kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut. Policia e Kosovës ka njoftuar se përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar. Këta kamionë ishin vendosur në këtë vend më 27 dhjetor, kur grupe të serbëve vendosën barrikada të reja në rrugët e veriut.
Djegia e këtyre kamionëve ndodhi pikërisht në ditën kur nisën të largohen barrikadat pas 20 ditësh bllokimi të rrugëve në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor. Pantiq u lirua dje nga paraburgimi pasi iu zëvendësua masa me atë të arrestit shtëpiak. Në një protestë që u zhvillua në fshatin Rudarë të Zveçanit, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vendosën edhe kushte të tjera për heqjen e barrikadave përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Barrikadat në veri u vendosën më 10 dhjetor si kundërshtim ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror në Mitrovicë të Veriut si dhe Zubin Potok. /alsat.mk