Struganët dhe “Vllaznimi” kampion të turneut futbollistik në Amerikë!

Ngjarja më e madhe sportive e shqiptarëve në Amerikë, Turneu i futbollit Vllaznimi shënoi edicionin e 13-të me radhë duke përmbyllur me sukses edhe këtë vit këtë organizim madhështor të Qendrës Kulturore Shqiptaro Amerikane!

Mesazhi kryesor i kësaj dite duhet të jetë uniteti ynë, sot përfaqësohemi këtu me lojtarë nga gjitha trevat tha kryetari i QKSHA-së, Astrit Zhaku i cili pas intonimit të himit kombëtar shqiptar dhe amerikan, mbajti fjalën hapëse të turneut.

20 skuadra nga gjitha zonat e trojeve etnike shqiptare, 200 futbollistë dhe qindra spektatorë i dhanë shkëlqimin e merituar këtij evenimenti.

Ishte një garë e fortë sportive me ekipe shumë cilësore ku disa nga ndeshjet më konkuruese u zgjodhën përmes goditjeve të penaltive.

Pas 40 ndeshjeve në grupe në takimet çerekfinale u zhvilluan ballafaqime shumë atraktive madje ne disa çaste pati edhe tensione në kuptimin sportiv.

Në ndeshjet Gjysmëfinale skuadra e Vllaznimit mposhti ekipin FC Future, ndërsa North Jersey përmes penaltive kaloi ekipin e Kelmendit.

Pas shumë vitesh trofeu i kampionit u fitua nga ekipi nikoqir i Vllaznimit i cili shënoi një fitore të merituar ndaj North Jersey me rrezultat final 3 me 1.
Ashtu si tradicionalisht para ndeshjes finale Grupi i këngëve dhe valleve të QKSHA me këngë dhe valle tradicionale shqiptare dha një shfaqje fantastike duke ndezur atmosferën në sallën e Turf City ku ishin prezentë qindra spektatorë.

Trajneri i skuadrës së Vllaznimit Dritan Sela u shpreh tejet i kënaqur me fitoren duke vlersuar lartë lojtarët e skuadrës së tij për paraqitjen.

“Jemi të lumtur që rikthejmë titullin kampion në shtëpi. Krijuam një skuadër me futbollistë me përvojë dhe me futbollistë të rinjë energjik. Doli të jetë një kombinim i qëlluar dhe ne sonte jemi kampion” tha Sela.
Vendi i parë mori një çek me kundërvlerë prej 1500$, ndërsa vendi i dytë 750$.
Gjithashtu me trofe u shpërblyen golashënuesi dhe portieri më i mirë!
Meritat dhe vlersimet më të larta janë për stafin organizativ të cilët me kontribut vullnetar edhe këtë vit e bënë të mundur mbarvajtjen e këtij turneu kaq madhështor.
F.A