Të gjithë në një vijë me Ali Ahmetin, ndryshimet kushtetuese hapin rrugë drejt BE-së

Nryshimet kushtetuese dhe imperativi i futjes së bullgarëve në Kushtetutë, edhe një herë zuri vend në fjalorin politik, tash në fjalimet e fundvitit, si imperativ për Maqedoninë në rrugën drejt BE-së. Lideri i Bashkimit demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti në fjalimin e tij vjetor para bashkëpartiakëve, ministrave nga radhët e saj dhe funksionarëve tjerë partiakë, deklaroi se ndryshimet e nevojshme kushtetuese për futjen e bullgarëve në Preambulë janë detyrim nga i cili varet rrugëtimi i mëtutjeshëm i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, shkruan Indeks.mk

“BDI, por edhe gjitha partitë politike shqiptare asnjëherë nuk kanë punuar me hile dhe në dëm të bashkëqytetarëve të tyre maqedonas. Ky është moment historik. Ndryshimi i Kushtetutës hap rrugë drejt BE-së, andaj ky është një moment legjitimimi edhe ndërkombëtar për bashkëqytetarët tanë dhe kombin maqedonas. Ndryshe, do të lihet hapësirë për dyshime dhe interpretime se pse nuk pranohet komuniteti bullgar me ndryshimet kushtetuese. Me vetë kontestimin, me hapjen e këtyre dilemave, sigurisht se kjo rrugë edhe kontribuohet edhe vështirësohet. Andaj, sa më parë që të marrë adresim kjo çështje, aq më mirë është për vendin dhe perspektivën dhe ardhmërinë e përbashkët tonën”, tha Ahmeti.

Profesori universitar Mersim Maksuti në deklaratë për Indeks.mk thotë se futja e bullgarëve në Kushtetutë nuk e rrezikon në asnjë mënyrë identitetin maqedonas.

“Futja e kategorisë së bullgarëve në preambulën e Kushtetutës në asnjë mënyrë nuk e rrezikon identitetin kombëtar të maqedonasve, përkundrazi kjo në mënyrë të tërthortë është një argument i fuqishëm se pala bullgare tashmë pranon ekzistimin e identitetit maqedonas, me vetë faktin se si dy kategori popujsh do të figurojnë në vetë Kushtetutën e shtetit tonë”, deklaroi Maksuti.

Edhe presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij vjetor para deputetëve në Parlament, ndër të tjera, foli edhe për ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se nevojitet një procedurë e qartë dhe e pastër për ndryshimin e Kushtetutës.

“Na duhet një procedurë e qartë dhe e pastër juridike dhe politike për ndryshimin e Kushtetutës, siç i ka hije një demokracie evropiane. Askush nuk duhet t’i bëjë presion apo të kushtëzojë askënd që të votojë kundër vullnetit të tij. Së pari, vetë përmbajtja e propozimit konkret, përfshirja e bullgarëve dhe e pjesëve të kombeve të tjera në Kushtetutë, në asnjë mënyrë nuk e shkatërron identitetin maqedonas, dhe së dyti, ata që janë kundër tij sot, nëse vërtet besojnë se BE-ja është synimi ynë strategjik, konstanta jonë strategjike nga viti 1991 e deri më sot dhe nëse janë kundër sot, si do ta votojnë këtë ndryshim kushtetues kur të jenë në pushtet”, tha Pendarovski.

Deputetja e LSDM-së, Daniela Koleva tha se e mirëpresin ‘faktin që presidenti qëndron fuqishëm pas politikave që nënkuptojnë vlera evropiane në vend, të cilat forcojnë partneritetin strategjik me SHBA-të dhe SHBA-të dhe të çojë drejt anëtarësimit të plotë në BE’.

“Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të hedhin hapin e fundit për ndryshimet kushtetuese. Nuk duhet të lejojmë që të bllokohemi, por të përfundojmë procesin e anëtarësimit të plotë në BE”, tha Koleva.

Kreu i opozitares Aleanca për Shqiptarët (ASH) tanimë është deklaruar se do të mbështes ndryshimet kushtetuese pa asnjë kusht me qëllim që Maqedonia e Veriut të ec në rrugëtimin e saj drejt BE-së pa barriera.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE beson se shantazhet dhe kërcënimet në rrugën drejt BE-së nuk do të ndalen dhe koncesionet e kërkuara nga Bullgaria nuk do të jenë të fundit. Por, siç mëson Indeks.mk, opozitarja VMRO-DPMNE do të mbështes ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Preambulën e shtetit, duke u arsyetuar se asaj i janë ofruar garanci nga ndërkombëtarët se përveç këtyre ndryshimeve Kushtetuese nuk do të ketë kushtëzime tjera nga pala bullgare.