Vogëlushi autik i ngjitur dje në skenën e festivalit dha mesazh frymëzimi për të gjithë. Jamarbri, u ngjit në skenën e madhe të Festivalit për të prezantuar këngën e artistit Petrit Çakaxhiu, të cilën këngëtari ia kishte kushtuar nënës së tij.
Me anë të një postimi në Facebook aktori dhe skenaristi i njohur Leonard Bombaj tregon vështirësitë e familjes dhe se sa krenar është ai për Jamarbrin, i cili sa herë ka qenë pjesë e shfaqjeve të tij ai ka marrë duartrokitje të pafundme.
Bombaj në postimin e tij tregon dhe fjalët që i ka thënë Jamarbrit në çdo dalje të tij:
“Jamarbri, vej bast ti do jesh moderatori i parë në botë i spektrit autik, dhe do vijmë ne të njohim universin tënd jo ti të vish tek neve.”
Postimi i plotë:
-“Alo! urime Nard për festivalin mbrëmë për suksesin e tim biri!”
Ishte babai i djalit me spektrin autik Jamarbër Hoxha që prezantoi dje në festival. E vërteta?
Miq! Sakrifica e mijëra orëve, sa vite pagjumësi prindërore, dhimbje të një djali që zhurmat i shumëfishohen në veshë, që një dhimbje trupi nuk e rrëfen, që bie në 8 të mbrëmjes dhe gjumi e zë në ora 5 të mëngjesit, etj.
Është guximi publik i prindërve @kujtimhoxha @mirandalivadhi që djalin ia besuan shoqërisë shqiptare, fondacioni @fëmijëtshqiptarë me znj.@liriberisha_2019, artistë, botues, pra një komunitet që këtë bir po e shkëput nga tentakulat e autizmit.
Unë jam krenar për Jamarbrin sepse në 24 shfaqje që shkuam në 8 qytete ai e ngrinte sallën në këmbë. Unë pyesja veten “çdo qytet e bën me fjalë?” Fjalët e tij nga shpirti “mami im! Ti je dashuria e parë e jetës sime të dytë” dhe publikut “unë ju dua por edhe s’ju dua. Ju më doni por edhe nuk më doni. Si do ia bëjmë? Fol! Te lutem fol!” Këto fjalë nga shpirti i tij ngrenë një glob në këmbë.
E dini? Në fund të çdo show i them Jamarbrit: “vej bast ti do jesh moderatori i parë në botë i spektrit autik, dhe do vijmë ne të njohim universin tënd jo ti të vish tek neve.”
E pra mbrëmë “motra ime e valëve” @arbanao e përcolli vetë natyrshëm, dhe audienca e duartrokiti gjatë, zjarrtë. Shoqëria tashmë i njeh, i mirëpret këta fëmijë. Dhe sa i bukur që dukej mistreci mbrëmë!
Dhurata më e bukur për Krishtlindje mes nesh, me zero lekë dhe njëqindfish përmbushje.
Gëzuar festat miq!