Republika e Kosovës aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Republika e Kosovës aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Presidentja, Vjosa Osmani, dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nënshkruan sot aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë.

Kryeministri tha se ky është një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri, dhe theksoi që progresi në këtë rrugëtim do të varet nga ne.

“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë.”

“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm”, tha Kryeministri, Albin Kurti.