Nga Komisioni për Sëmundje Infektive njoftojnë se në mbledhjen e fundit është konstatuar se gjendja me Covid-19 dhe virusin sincicial në vend është stabile, përcjell TV21. Nga KSI thonë se rekomandojnë që masat aktuale për mbrojtje nga koronavirusi të mbeten në fuqi edhe në periudhën në vazhdim.
“Në mbledhjen e sotme, Komisioni i Sëmundjeve Infektive shqyrtoi situatën aktuale epidemiologjike në vend dhe konstatoi se gjendja me Covid-19 është stabile, nuk ka rritje të rasteve pozitive, të shtruarve në spital apo të vdekurve. Qëndrimi i Komisionit është se katër masat, të cilat janë aktualisht ende në fuqi, si: mbajtja e maskës në objektet shëndetësore, farmaci, transport publik dhe shtëpi për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta, korrespondojnë me gjendjen aktuale epidemiologjike dhe do të vazhdojnë të mbeten në fuqi edhe në të ardhmen. Sa i përket infeksionit me virusin sincicial, është konstatuar se situata është stabile, nuk ka rritje të rasteve të reja dhe të shtruarve në spital, ndërsa kapacitetet spitalore plotësojnë nevojat për kujdes shëndetësor për fëmijët me simptoma”, thonë nga KSI.