Austria bllokon pranimin në Shengen të Rumanisë dhe Bullgarisë, ndërsa Kroacia merr dritën jeshile

Austria ka bllokuar pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen, zona pa pasaporta që ka hequr kontrollet kufitare midis shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Holanda mbështeti ofertën e Rumanisë por kundërshtoi atë të Bullgarisë.

Kroacia, megjithatë, mori mbështetje unanime dhe do t’i bashkohet Zonës Shengen që nga janari 2023.

Votimet u zhvilluan në Bruksel pasditen e së enjtes gjatë një takimi të ministrave të Brendshëm.

Rumania dhe Bullgaria “po përmbushin të gjitha kërkesat. Ata kanë pritur për një kohë të gjatë. Qytetarët e Bullgarisë dhe Rumanisë meritojnë të jenë plotësisht pjesë e zonës Shengen”, tha pas takimit Ylva Johansson, Komisionerja Evropiane për punët e brendshme.

“Mendova, në fakt, se do ta kishim vendimin sot. Pra, mendoj se sot është një ditë zhgënjimi”.

Përfundimi negativ, i cili pritej gjerësisht, përfaqëson një disfatë të dhimbshme politike si për Rumaninë ashtu edhe për Bullgarinë, të cilat u bashkuan me Bashkimin Evropian gjashtë vjet përpara Kroacisë.

Komisioni Evropian, i ngarkuar me vlerësimin e kandidaturave për Shengen, ka thënë se të dy vendet janë gati të bëhen pjesë e zonës pa pasaporta që të paktën që nga viti 2011.

Meqenëse pranimi në Shengen kërkon unanimitet, pakica e vogël arriti të bllokojë të gjithë procesin. Debati të enjten zgjati “më shumë se sa pritej”, tha një diplomat i BE-së, duke përshkruar “disa të hidhura në dhomë” pasi rezultati u bë i qartë.

Kundërshtimi i Austrisë, i cili ka befasuar shumë në Bruksel pasi u shfaq vetëm javët e fundit, bazohet në një fluks të ri azilkërkuesish përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor.

Kroacisë në fillim të këtij viti iu dha gjithashtu drita e gjelbër për të adoptuar euron dhe për këtë arsye që nga janari 2023 do të jetë anëtare e eurozonës dhe zonës Shengen.