Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së punës në Austri, ka takuar Ministren federale për BE dhe Kushtetutë të Republikës së Austrisë, Karolin Edshtadler.
Në takim morën pjesë edhe Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për çështje evropiane, si dhe ministrja e kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska.
Kovaçevski dhe Edshtadler shprehën kënaqësinë e tyre të ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendeve, gjë që shprehet edhe në mbështetjen e paekuivoke të Austrisë për procesin e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në takim u theksua se Maqedonia e Veriut dhe Ballkani Perëndimor janë në agjendën e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të tij dhe se Austria mbetet mbështetëse besnike e politikës së zgjerimit të Unionit me vendet e rajonit, fillimi i negociatat e anëtarësimit dhe fillimi i shqyrtimit janë një tjetër konfirmim i ecurisë së vendit tonë në procesin e integrimit europian.
Në takim u diskutua edhe për krizën e sigurisë të shkaktuar nga konflikti në Ukrainë, ku u theksua nevoja për bashkim të mëtejshëm dhe veprim të përbashkët për të garantuar paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë dhe të ardhmen e Evropës në përgjithësi.
Në takim u bisedua edhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke qenë se Austria është një nga investitorët më të mëdhenj në vend me mbi 45 kompani të pranishme në treg. Gjithashtu, tregtia është në rritje të vazhdueshme dhe vitin e kaluar arriti në 200 milionë euro, që është një rritje në krahasim me vitin 2020, kur tregtia arriti vlerën prej 176 milionë euro.