Pas sulmeve ajrore ruse, miliona ukrainas kanë mbetur në terr

Pas sulmeve ajrore ruse, të cilat kanë goditur rrjetin elektrik të Ukrainës, miliona ukrainas kanë mbetur në terr. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nga këto sulme janë prekur shumë rajone dhe paralajmëroi gjithashtu se rreth gjysma e Kievit do të mbetet pa energji elektrike në ditët në vijim. Ai tha se inxhinierët veçse kanë nisur punën për t’i riparuar linjat elektrike të goditura nga sulmet. Deri tani nuk është raportuar për viktima. Sulmet ajrore ruse në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kanë lënë miliona ukrainas pa ngrohje, pa energji elektrike dhe ujë, në një kohë me temperatura jashtëzakonisht të ulëta. Ekziston frika se një numër njerëzish mund të vdesin nga hipotermia.