Kovaçevski: Lufta kundër korrupsionit është në krye të agjendës sime

Detyrë themelore në luftën kundër korrupsionit është funksionimi i pandërprerë dhe i pavarur i institucioneve. Numri dy, është integriteti dhe profesionalizmi i atyre që drejtojnë institucionet dhe numri tre, vullneti politik i atyre që marrin pjesë në punën e institucioneve që lufta kundër korrupsionit të jetë në nivelin më të lartë. Kur flasim për luftimin e korrupsionit, nuk kam parasysh vetëm korrupsionin e nivelit të lartë, por korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë. Pra, nga sporteli më i ulët në shoqëri në një vetëqeverisje lokale deri te nivelet më të larta të korrupsionit, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp në Qeveri.

Kovaçevski theksoi se ato çështje janë adresuar në Programin e Qeverisë dhe në punën e institucioneve që janë pjesë e Qeverisë dhe në zgjidhjet ligjore që janë dorëzuar, votuar, disa të bllokuara në Kuvend, si dhe se lufta kundër korrupsionit është në krye të agjendës së tij.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për komentet negative të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare për korrupsionin në vend, kryeministri tha se po ashtu shumë qartë e ka thënë se pas zgjidhjes së çështjeve më të mëdha në pjesën politike – anëtarësimit në NATO, nënshkrimit të marrëveshjeve me vendet fqinje , me fillimin e negociatave, problemi më i madh që mbetet për t’u zgjidhur në periudhën e ardhshme është lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i sundimit të ligjit.

Sipas tij, kompetencë e Qeverisë është që të sigurojë funksionimin e pavarur të të gjitha organeve hetimore, prokuroriale dhe gjyqësore në vend.

Korrupsioni, siç tha ai, është një luftë e gjithë shoqërisë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, sepse pushteti në vend është i ndarë – kemi pushtet ekzekutiv, legjislativ, vendor, gjyqësor dhe secili duhet të japë kontributin e tij për sundimin suprem të ligjit dhe luftë supreme kundër korrupsionit.

“Nëse shikojmë raportet e institucioneve ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim. Kjo mund të shihet përmes të gjitha raporteve që janë në dispozicion, të cilat janë bërë nga institucionet ndërkombëtare. Ai progres është i dukshëm, nga sundimi i demokracisë në vend, nga transparenca e institucioneve, shtoi Kovaçevski, duke kujtuar se Qeveria vlerësohet me transparencë qind për qind për atë që duhet të informojë.

Ai kërkoi që të gjitha institucionet të ndjekin këtë shembull dhe të gjithë të jenë të fokusuar, “sepse një nga problemet më të mëdha të çdo shoqërie, dhe mbi të gjitha të ekonomive në zhvillim si kjo e jona dhe shoqërive që pretendojnë të bëhen pjesë e BE-së, është sundimi i të drejtës”.

“Nëse marrin parasysh raste të caktuara në shtet, këtu para së gjithash mendoj për pavarësinë dhe pushtetin gjyqësor e prokurorial etj. se një zgjidhje e caktuar ligjore duhet të avancohet, atëherë Qeveria normalisht është në dispozicion për të përgatitur ato zgjidhje ligjore. Sigurisht që Parlamenti është vendi ku do të diskutohet, komisionet përkatëse të Kuvendit. Nëse nevojitet një monitorim i caktuar ekspertësh për avancimin e punës, qeveria është në dispozicion për të kërkuar, nëse është e nevojshme, asistencë të huaj, asistencë eksperte që do të sillte dhe do të ishte e pranishme fizikisht këtu në vend, të gjitha këto janë në dispozicion dhe unë jam një qind për qind në dispozicion për punë të tilla, tha Kovaçevski.

Si ish zëvendëskryeministër i ngarkuar për luftën kundër korrupsionit foli edhe Lupço Nikollovski, i cili tani është ministër i Bujqësisë. Nikollovski theksoi shumë aktivitete të cilat i ka bërë Qeveria sa ishte në atë pozitë, si dhe se vendi është përmirësuar në shkallën e korrupsionit.