Shqipja në Diasporë
TAKIMI MBARËKOMBËTAR PËR
GJUHËN SHQIPE NË DIASPORË
Ylber Sela
Kam nderin dhe kënaqësinë që të përshëndes këtë aktivitet kaq të rëndësishëm që organizohet për gjuhën shqipe në diasporë. Jam shumë i emocionuar pasi edhe unë i përkas mërgatës. Jetova e u arsimova në Vjenë. I mbarova tre ciklet e studimit në Universitetin e Vjenës dhe vendosa të kthehem në vendin tim. Nuk ishte vendim i lehtë por sot jam krenar që kam mundësi të punoj për vendim tim dhe për kombin tim me shpresë që edhe të tjerë te rinj të ndjekin rrugën time sepse vendet tona kanë nevoj për trurin e mërgatës tonë.
Ne shqiptarët gjatë pjesës së dytë të çdo nëntori kemi shumëçka për të festuar, por sivjet manifestimet e shumta për nder të 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit kanë bërë këtë nëntor edhe më të veçantë.
Drejtshkrimi i shqipes standarde është i domosdoshëm në procesin e mësimit të gjuhës sonë, që ta flasim dhe ta shkruajmë të gjithë njësoj, drejt dhe pa gabime.
Gjuha për ne shqiptarët ka rëndësi jetike, përmes shqipes mbetemi shqiptarë, kudo që gjendemi anembanë botës. Ndër shekuj shqipja na ka bashkuar dhe përmes saj kemi ruajtur qenien tonë kombëtare.
Të gjithë e njohim rolin e diasporës shqiptare, ndihmën e saj të vazhdueshme për themelimin e shtetit shqiptar, për shtetin e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Pjesëtarët e diasporës shqiptare edhe sot e gjithë ditën mbështesin vendlindjen e tyre. Pa këtë ndihmesë të përditshme, jeta në viset tona, në këto kohë krizash, do të ishte edhe më e vështirë.
Por çka bëjmë ne për diasporën shqiptare të shpërndarë kudo dhe të shumtë në numër? A përkujdesemi ne sa duhet për njerëzit tanë që ishin të detyruar që të lëshojnë vendlindjen? Sa jemi të vetëdijshëm për këtë potencial të përbashkët kombëtar? A i ndihmojmë ne ata që të ruajnë gjuhën shqipe, të organizojnë mësim të shqipes në vendet ku ata punojnë e jetojnë?
Mendojë se deri më tani nuk është bërë dhe aq sa duhet. Besoj se së bashku institucionet e vendeve tona mund të mbështesin më fuqishëm në këtë drejtim diasporën shqiptare.
Jam i bindur se ne të gjithë mund të ndihmojmë diasporën tonë në procesin e organizimit të mësimit të shqipes, në sigurimin e librave të duhur për gjuhën shqipe, si dhe përgatitjen e mësimdhënësve të gjuhës.
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës në Shkup, që nga themelimi në vitin 2019, dhe unë si drejtor i parë i saj, krahas punës parësore që të zbatojmë ligjin e gjuhëve, të përshpejtojmë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në RMV, në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit qytetar e kombëtar, përpiqemi që të nxisim dhe të mbështesim edhe mësimin e shqipes në diasporë.
Mendoj se është shumë i rëndësishëm procesi i ndërgjegjësimit të diasporës sonë për rolin vendimtar që ka shqipja në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Diaspora duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për të mësuar gjuhën shqipe. Dëgjojmë për ditë që hapen shkolla shqipe në diasporë. Por ankesat dhe vërejta e organizatorëve dhe mësimdhënësve është se, prindërit kanë pak interes për të dërguar fëmijët e tyre nëpër këto shkolla.
Më lejoni që të them ca mendime se sa dobi sjellë mësimi dhe njohja e mirë e gjuhës amtare kudo që të jemi:
– Kur dimë mirë shqipen, si individ kemi më shumë vlerë dhe mundësi shtesë edhe në vendet e huaja.
– Me njohjen e mirë të gjuhës amtare e kemi më të lehtë që të mësojmë edhe gjuhën e vendit si dhe gjuhët botërore.
– Zotërimi i mirë i gjuhës standarde shqipe, çdo shqiptari i lehtëson njohjen e ndërsjellë dhe mundëson bashkëpunim të frytshëm ndër shqiptar.
– Përmes mësimit të mirë të shqipes së shkruar, fëmijët tanë në diasporë, do të mbajnë më lehtë lidhjet me vendlindjen dhe të gjithë viset shqiptare.
Për këtë arsye është më se e domosdoshme që shqipja të flitet në familje, në shoqërimet e përbashkëta, se vetëm kështu mund të ruhet gjuha e mëmëdheut, por edhe identiteti kombëtar shqiptar. Vetëm nëse ruajmë gjuhën shqipe kudo që jemi, mbetemi përherë shqiptarë!
Edhe një porosi për diasporën tonë: flisni me krenari gjuhën shqipe, kudo që keni mundësi; mbështetni dëshirën për të mësuar çdo shqiptarë gjuhën e vet!
Vetëm me këtë ndërgjegjësim, me këto përpjekje dhe me shumë këmbëngulje të çdo prindi për të dërguar detyrimisht fëmijët në shkolla për mësim të gjuhës shqipe; me librin shqip, këngën shqipe në çdo familje shqiptare, mund të ruajmë gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar shqiptar.
Shpirti dhe kombi shqiptar ruhen vetëm përmes gjuhës shqipe!
Gëzuar Festën e Flamurit Shqiptar!