Kievi pa ujë dhe pa energji elektrike

Shumë familje mbetën pa ujë dhe pa energji elektrike në Kiev të Ukrainës, pasi sulmet me raketa ruse goditën rëndë energjetikën në fillim të kësaj jave.

Autoritetet në kryeqytet po punojnë për të kthyer furnizimet, por ndërkohë banorëve u duhet të qëndrojnë në radhë për ujë, ose të mbledhin ujin e shiut nga kanalet e kullimit.

Ata që kanë mbetur pa energji, mes temperaturave të ftohta të Kievit janë drejtuar në kafene për ngrohtësi dhe energji elektrike.

Autoritetet kanë ngritur gjithashtu qendra të posaçme, ku banorët mund të karikojnë telefonat, të ngrohen dhe të marrin pije të ngrohta.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se rreth 60% e kryeqytetit ukrainas ishte ende pa energji elektrike teksa temperaturat mbeten shumë nën zero.

Ai shtoi se inxhinierët po bënin çmos për të rikthyer energjinë elektrike sa më shpejt të ishte e mundur.