Imri Demisai – LUSTRAXHIU

DCIM100MEDIADJI_0059.JPG

LUSTRAXHIU

Pikuan gjithë gjethet,
dimri skërmit dhëmbët.
Mua më zënë ethet,
mezi më mbajnë këmbët.
S´di pse ligështohem,
para udhëtimit!
Do të shkoj të mbahem
te urat e drinit.
Te ura e tretë,
dua të mbështetem,
dhe me kalimtarët
shqip të përshëndetem.
Fytyrat e tyre
t´i shikoj në heshtje,
ecjen e shkujdesur
që më zgjon kureshtje.
Eh, sa këmbë mbajtka
shtrati i kësaj ure.
Ca ende po ecin,
tjerat në qivure.
Sa vula këpucësh
në dekada ngjeshur.
Disa duke qarë,
disa duke qeshur.
Hallet dhe gëzimet
i çon tutje lumi.
Malli i të gjallit
më i rëndë se plumbi.
Njëri do të kthehet,
tjetri do të ikë.
Sa më larg më mirë,
gjer në Amerikë.
Me fatin në torbë
bredh kudo njeriu.
-Dale se më thotë
diçka lustraxhiu.
Do t´i bojadisë
këpucët e mia.
Qenka shpirt njeriu,
e faltë perëndia.

[idemisai]