Sipas të dhënave zyrtare, sa i përket imigrantëve të paligjshëm, numri më i madh i tyre në Ballkan vijnë nga Afganistani, Siria, Maroku, Burundi dhe nga Pakistani. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, deklaroi në një konferencë për shtyp se Serbia ka pasur një rritje të konsiderueshme të imigrantëve të paligjshëm në vitin 2022 prej 191 për qind, të cilët kryesisht hynë nga vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria
Vala e re emigranteve që pritet të vërshoj Evropën ka detyruar krerët e disa vendeve evropiane të marrin masa për ta parandaluar një vërshim të madh drejtë vendeve të tyre. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe kancelari austriak Karl Nehamer, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet tre vendeve për të forcuar bashkëpunimin trepalësh në fushën e luftës efektive kundër migracionit të paligjshëm, me të cilin, duke harmonizuar politikën e vizave të Serbisë me Tunizinë dhe vendet tjera do ta mbrojnë Evropën nga migrimi i paligjshëm dhe me forca të përbashkëta policore do të jenë të stacionuar në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave zyrtare, sa i përket imigrantëve të paligjshëm, numri më i madh i tyre në Ballkan vijnë nga Afganistani, Siria, Maroku, Burundi dhe nga Pakistani. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, deklaroi në një konferencë për shtyp se Serbia ka pasur një rritje të konsiderueshme të imigrantëve të paligjshëm në vitin 2022 prej 191 për qind, të cilët kryesisht hynë nga vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. “Ajo për të cilën ramë dakord është që bashkërisht, me mbështetjen e Hungarisë dhe Austrisë, të angazhojmë një numër më të madh të forcave policore në kufirin me Maqedoninë e Veriut, të përfshijmë pajisje të rëndësishme, makina me kamera termike dhe të provojmë atë linjë të mbrojtjes”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia më vonë do të përpiqet, së bashku me Maqedoninë, ta zhvendosë edhe atë kufi mbrojtës në jug, nëse do të jetë i suksesshëm, i cili do të mbrojë Evropën në tërësi, por edhe Serbinë, sepse nuk dëshiron të jetë “parkim” për shumë imigrantë. “Arritëm një marrëveshje të rëndësishme edhe për ripranimin, pra dëbimin e atyre që nuk kanë mundësi të marrin azil. Ne do të duhet të sigurojmë avionë për të kthyer imigrantët dhe kjo është shumë e shtrenjtë. Ne do t’i ndajmë shpenzimet me Hungarinë dhe Austrinë dhe ramë dakord që të jetë një marrëdhënie e drejtë”, theksoi Vuçiq.
Kancelari austriak Karl Neuhammer, tha se ajo që po bëjnë këto tre vende është një sinjal i fortë për Brukselin. “Është një sinjal i fortë se dy shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Hungaria dhe Austria, së bashku me Serbinë, një partner vërtet i fortë dhe i dëshirueshëm, po i dërgojnë një sinjal Brukselit nga këtu. Dhe që partnerët si Serbia jo vetëm të fitojnë perspektivë, por edhe të arrijnë progres konkret, sepse ka sfida të mëdha në luftën kundër migrimit ilegal, terrorizmit dhe krimit të organizuar. Gjërat funksionojnë më mirë kur i trajtojmë së bashku”, theksoi Nehammer. Ai shtoi se Austria po bënë përpjekje që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se derisa Serbia të hyjë në BE, do të duhet të dërgojmë kufirin e mbrojtjes sa më shumë në jug. “Hungaria do të sigurojë njerëz dhe pajisje – tha Orban, duke theksuar se që nga viti 2015 Hungaria ka shpenzuar 1.6 miliardë euro për mbrojtjen e kufijve dhe ka marrë 1.2 për qind të kësaj shume nga Brukseli. Kur bëhet fjalë për migracionin në Hungari, këtë vit kemi parandaluar 250,000 kalime të paligjshme në vendin tonë”, tha Orban. Ai shtoi se ka bërë një luftë kundër emigrimit të paligjshëm për një kohë të gjatë dhe se ka dëgjuar të gjitha llojet e gjërave si duhet bërë. “Migracioni nuk duhet menaxhuar, por duhet parandaluar. Emigrantët e paligjshëm nuk do të hyjnë vetëm nëse e dinë se nuk do të kalojnë dot kufirin, nëse janë të bindur se munden, do ta kalojnë atë. Ne duhet t’u bëjmë me dije se nuk ka kalim mbi kufirin tonë, nuk ka menaxhim të migrimit, nuk ka drejtim të migrimit, duhet të ndalet dhe kalimi i paligjshëm është një krim që duhet trajtuar”, përfundoi Orban.