Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kreu në detyrë i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari kanë qenë sot mysafir në Zajas, për të diskutuar ndarjen e kulaçit qeveritar.
ALSAT mëson se pas takimit të zhvilluar gjatë mesditës, Kovaçevski dhe Taravari kanë biseduar me kreun e BDI-së formulën e përfolur tashmë në opinion për bërjen e hapësirës në Qeveri për partnerin e ri, me qëllim të forcimit të koalicionit qeverisës dhe hapjen së shpejti të mundësive për ndryshimet kushtetuese.
ALSAT, ashtu sikurse ka raportuar gjatë këtyre ditëve, por edhe sot, rreth resorëve të mundshëm për Aleancën, mëson së fundi se partnerët aktual i mbeten formulës prej lëshimit të një ministrie, secila, për llogari të Aleancës për Shqiptarët.
Tre ministritë që kryesojnë në listë për kalim në duart e Taravarit janë Ministria e Drejtësisë (e cila pritet lëshohet nga LSDM-ja), ministria e Ekologjisë (që pritet të lëshohet nga BDI-ja) dhe ministria për Shoqëri Informative nga Alternativa.
Në takimin e sotëm në Zajaz nuk ka pasur si duket ftesë kreu i Alternativës, i cili më herët pati shprehur qëndrimet kundër lëshimeve të posteve.
Siç mëson ALSAT, Aleancës pritet t’i bëhet vend edhe në të paktën një zv/ministër dhe rreth 30 drejtori në kuadër të Qeverisë. Megjithatë, finalja e negociatave dhe përllogaritjeve mbi resorët pritet të përmbyllet deri në fund të muajit për t’i hapur rrugën më pas kërkimit të deputetëve për ndryshimet kushtetuese./Alsat.mk