Çmimi i mishit të viçit në Maqedoni arrin deri në 800 denarë

Në tryezat e qytetarëve të Maqedonisë ka gjithnjë e më pak mish, shkaku i rritjes së çmimit. Ekipi ynë vizitoi disa mishtore në kryeqytet, kurse çmimet që i hasëm janë shumë më të larta krahasuar me periudhën para disa muajve. Sa për ilustrim, mishi i viçit shitet me çmim prej 570 deri në 790 denarë për kilogram, kurse mishi i derrit nga 340 deri në 410 denarë. Sipas Entit për Statistikë, çmimi i mishit në tetor shënoi rritje prej 3.6% në krahasim me po të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

-Sipas mundësive, ndonjëherë blej, ndonjëherë jo. Nuk është situata e njëjtë siç ishte paraprakisht. Për 30% më pak blej tani. Tani bleva mish të grirë, të përzier, 300 gramë, 90 denarë.

-Nuk guxoj të blej, tmerr! Tani me shkyçjen e frigoriferëve produktet po prishen. Edhe çmimi është i lartë.

-Po afrohen festa. Viti i Ri, a do të ketë për në tryezë?

-Do të blejmë pak brinjë.

-Po ha, por tani për tani, mish të freskët jo.

Pse? Se është shtrenjtuar?

Çmimet shkuan deri në tavan. Blinim, por tani nuk mjafton.

Në lidhje me uljen e paralajmëruar të çmimeve për disa prej produkteve bazë, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se pret që të ulet çmimi i qumështit. Kishte negociata edhe me industrinë e mishit që edhe ata të marrin rrymë të subvencionuar, me çka do të ulej çmimi për konsumatorët, por çmimet mbeten të njëjta. 120 kilogramë mish për kokë banori shpenzojnë SHBA-të, ndërsa 80,6 kg BE-ja, sipas të dhënave të “Slow food”. Popullsia e vendeve të tjera në botë konsumon shumë më pak./TV21