Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është duke hartuar ligj të ri për pagat, njoftojnë nga Qeveria. Me këtë pritet të kufizohet shuma e të ardhurave mujore që marrin drejtorët, anëtarët e bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, si dhe menaxherët e tjerë në sektorin publik. Qeveria ritheksoi se ka zyrtarë që marrin të ardhura më të larta se presidenti i shtetit dhe kryetarët e gjykatave edhe pse ndërmarrjet e tyre publike funksionojnë me humbje.
“Ligji për Pagat është duke u hartuar dhe do të përcaktojë pagën më të lartë në vend për administratën publike. Kjo nuk mund t’u përcaktohet kompanive private. Duhet të përcaktohet nëse ajo pagë do të jetë për presidentin e shtetit, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese apo të tjerë dhe më pas në bazë të kësaj rroge më të lartë të unifikohen të gjitha pagat, pra të vendosen në një kornizë konsistente. Praktika të tilla ka edhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Duhet të vihet rend”, njoftojnë nga Qeveria.
Nga Qeveria shtojnë se përgatitja e një ligji të tillë është proces i gjatë, duke pasur parasysh vëllimin e administratave. Nga ana tjetër, opozita paralajmëroi mbështetje për vendosjen e kufirit të të ardhurave.
“Jo vetëm për pagat, por për një sërë gjërash të tjera kanë premtuar se do të ketë një lloj zgjidhje ligjore, por nuk kemi parë ndonjë gjë konkrete nga kjo Qeveri. Po, nëse ligji është i arsyeshëm, nëse pagat kufizohen, sidomos në një krizë të tillë ekonomike dhe energjetike, sigurisht që do ta rishikojmë ligjin dhe do ta mbështesim nëse është i arsyeshëm dhe në interes të qytetarëve”, tha Ivica Tomovski – VMRO-DPMNE.
Anëtari i VMRO-DPMNE-së, Ivica Tomovski edhe sot ka vazhduar me publikimin e të dhënave për të ardhurat mujore të disa zyrtarëve shtetërorë. Pasi akuzoi një ditë më parë se drejtues në M-NAV kishin të ardhura prej katër mijë eurosh në muaj, ai tashmë ka vënë në sfond drejtorin e Agjencisë së Aviacionit Civil. Paga e tij është 3.300 euro, ndërsa drejtori i Shoqërisë Aksionare Shtetërore për ndërtim dhe menaxhim të hapësirës banesore dhe afariste merr 105 mijë denarë në muaj./Alsat.mk