Poezi nga Agim Vinca: Sazet e Ohrit
Fustanellë e bardhë posi shkumë lumi
Nderë mbi liqen gjer te Shën Naumi.
Gjer te Shën Naumi e tutje në breg
Për një zjarr të fshehur, për një mall që djeg
Për një mall që djeg, për një bukuri:
“Falmi, moj, falmi; falmi, moj, sytë e zi…”.
Tingujt e gërnetës derdhen palë-palë
Si vala në breg, si lumi në zall
Tingujt e gërnetës, tingujt e xhurasë
Se ç’ja thonë të shkretës, aty rrëzë kalasë
Aty rrëzë kalasë, te çinari plak
Një kaba e vjetër, një rimë, një baladë
Një rimë, një baladë, një mall i pashuar:
“Falmi, moj, falmi; falmi, moj, sytë e shkruar…”
Ata sytë e tu, që m’i ke nën vetull:
Ditën ma bënë vit, vitin ma bënë shekull
… Fustanellë e bardhë posi shkumë lumi
Një kind te Ohrija, një te Shën Naumi
Një te Shën Naumi e tutje në breg
Për një zjarr që s’shuhet, për një mall që djeg…