Një shpërthim ka ndodhur ditën e sotme në rrugën Beyoğlu Istiklal në Stamboll, Turqi.
Autoritetet e Ankarasë nuk e përjashtojnë pistën e një sulmi terrorist.
Guvernatori i Stambollit Ali Yerlikaya në një deklaratë në rrjetet sociale ka sqaruar se të paktën 5 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi dhe se 53 persona janë plagosur.
“Një shpërthim ka ndodhur në lagjen Beyoğlu, në rrugën Taksim Istiklal, rreth orës 16.20 të ditës së sotme. Në vendngjarje janë dërguar ekipet tona të sigurisë, shëndetësisë, zjarrfikësve dhe AFAD. Ka viktima dhe të plagosur”, tha ai.
Në pamjet e pasqyruara është regjistruar se ka pasur zhurmë shpërthimi dhe flakët, ndërsa qytetarët u shpërndanë të tmerruar.
Rruga ishte e mbushur me njerëz, pasi është një rrugë e frekuentuar nga turistët dhe vendasit, e rrethuar nga dyqane dhe restorante.