Presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe zv/kryeministri i parë Artan Grubi sot i dërguan popullit turk telegrame ngushëllimi për të vrarët në shpërthimin e sotëm në Stamboll.
“I shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të të vdekurve, Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe popullit turk në këto momente të vështira pas shpërthimit të tmerrshëm të sotëm në Stamboll. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, tha Pendarovski.
“I dërgoj ngushëllimet më të thella popullit vëlla turk, familjeve të të vdekurve, kryetarit të Stambollit dhe presidentit turk pas shpërthimit të sotëm në zemër të Stambollit”, ka shkruar Kovaçevski në rrjetet sociale.
“Tronditës lajmet për shpërthimet e sotme në Stamboll që u morrën jetën shumë qytetarëve të pafajshëm. Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave, dënojmë aktin ç’njerëzor të vrasjeve dhe apelojmë për kujdes të shtuar nga ana e bashkëqytetarët tanë që në numër të madh gravitojnë këtë zonë të Stambollit. Jemi bashkë me Turqinë në këto çaste të rënda, të përkushtuar për veprim të përbashkët në luftën kundër terrorizmit dhe çdo akti të dhunës që kërcënon paqen dhe themelet e shëndosha të shoqërisë mbarënjerëzore.” ka shkruar Grubi.
Në shpërthimin e fuqishëm të sotëm në një nga rrugët më të njohura turistike në Stamboll, 6 persona humbën jetën dhe 54 të tjerë u plagosën. Autoritetet turke po e trajtojnë incidentin si një sulm terrorist, megjithëse asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë.