Aggeler: E ardhmja e Maqedonisë është e ndritshme

Presidenti Stevo Pendarovski sot pranoi letrat kredenciale të ambasadores së sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut Angela Price Aggeler, njoftoi zyra e kreut të shtetit. Ambasadorja Aggeler theksoi se është krenare që përfaqëson presidentin dhe popullin amerikan si ambasadore e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Kam pasur një privilegj të madh të shërbeja këtu, në këtë vend të bukur, kulturën, njerëzit, gjuhët dhe historinë e të cilit i doja. Në periudhën që kur isha për herë të fundit këtu, Maqedonia e Veriut u përball me sfida të mëdha dhe mori vendime të vështira, vendime që e çuan vendin përpara në rrugën e integrimeve euroatlantike. Ky vend ndryshoi emrin e tij për t’u bërë anëtari i 30-të i Aleancës së NATO-s – aleati ynë më i ri. I hapi negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke forcuar pozicionin e saj si lider në ndërtimin e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Kryesimi juaj i ardhshëm me OSBE-në në vitin 2023 tregon rolin kyç që vendi luan për të ardhmen e Evropës. E ardhmja është me të vërtetë e ndritshme, pavarësisht se vendi po përballet me sfida të vjetra dhe të reja”, tha Ageler.

Unë jam këtu sot, shtoi ambasadorja, për të premtuar se nuk do të përballeni vetëm me këto sfida.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasada dhe unë do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të ndihmuar popullin e Maqedonisë së Veriut që të kenë sukses në pranimin dhe tejkalimin e të gjitha atyre sfidave. Unë ju jap betimin tim personal se ne do të qëndrojmë krah për krah me popullin e këtij vendi, ndërsa vendi realizon qëllimet e tij për paqen, prosperitetin, sigurinë dhe pavarësinë për të gjithë qytetarët e tij”, tha Ageler.

Ajo theksoi se Evropa po përballet me kërcënimin më të madh, i cili nuk është parë me gjenerata, dhe Maqedonia e Veriut, si një aleat i besueshëm, aktiv në NATO, kontribuon për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

“Për më shumë se 30 vjet, ne kemi punuar së bashku për të siguruar vendin e merituar të Maqedonisë së Veriut në komunitetin më të madh evropian, duke mbështetur vlerat themelore të një demokracie të begatë – respektimin e sundimit të ligjit, mundësitë e barabarta për drejtësi, rritje ekonomike dhe shprehje personale, si dhe përmes një angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve në mënyrë të hapur dhe transparente. Maqedonia e Veriut po përballet me sfida në themelet e të gjitha këtyre shtyllave. Siç vazhdoni ju të ecni përpara, ashtu Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu si partner, aleat dhe mik, duke ruajtur marrëdhëniet që do të bëhen më të forta, më të thella dhe më produktive”, theksoi ambasadorja e re amerikane Angela Price Aggeler në dorëzimin e letrave kredenciale te presidenti Stevo Pendarovski.