Kursimet e qytetarëve të RMV-së në bankat vendore arrijnë 5.27 miliardë euro

Fondi për sigurimin e depozitave dhe Shoqata e Bankave të Maqedonisë shënojnë Ditën Botërore të Kursimeve, 31 tetor. Kjo ditë festohet në të gjithë botën me qëllim promovimin e kursimeve personale në banka dhe kursimore, për të kujtuar rëndësinë e kursimeve të rregullta, për të krijuar rrjet të mbrojtjes së depozitave dhe për të kujtuar se kursimet ndihmojnë dhe mundësojnë individin të arrijë qëllimet e tij dhe idetë.

Nga Fondi thonë se festimi i Ditës së Kursimeve ka në fokus rolin e stabilizuesve në shoqëri që kanë kursimet dhe bankat në sistemin e përgjithshëm financiar.

“Edukimi dhe kujtimi i njerëzve për kulturën e kursimeve është i nevojshëm veçanërisht në kontekstin e krizës ekonomike globale, e cila fatkeqësisht rrit papunësinë dhe varfërinë në mbarë botën. Sot, përkundër ndikimeve të forta të jashtme negative në ekonominë e Maqedonisë, sektori bankar në Republikën e Maqedonisë së Veriut mund të vlerësohet si i qëndrueshëm, solid, rezistent ndaj krizës globale të shkaktuar nga konflikti ushtarak që është ende në vazhdim dhe i furishëm në Ukrainë dhe që i parapriu një luftë e gjatë dhe mizore me pandeminë e shkaktuar nga sëmundja infektive COVID-19”.

“Dëshmi për fuqinë e sektorit bankar është shuma e përgjithshme e depozitave të popullatës, e cila në shtator 2022 është 325 miliardë denarë ose 5,27 miliardë euro, ose e shprehur në përqindje paraqet rritje prej 5,41% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Stabiliteti i sektorit bankar është rezultat i sigurimit të depozitave të popullsisë, i cili kryhet nëpërmjet Fondit të Sigurimit të Depozitave, gjithmonë i gatshëm për kompensim të shpejtë dhe në kohë të depozituesve në rast të një ngjarjeje të rrezikshme”, thonë nga Fondi.

Në fund shtojnë se stabiliteti financiar është i rëndësishëm për mbështetjen e kredisë për kompanitë e vogla dhe të mesme, gjë që kontribuon në forcimin e ekonomisë në tërësi.