Tragjedi me dhjetra të rinj të vdekur në Seul mes turmave në festën e Halloween 

Dhjetra të rinj kanë vdekur sonte tragjikisht nga ataku kardiak dhe raportime për “vështirësi në frymëmarrje” në kryeqytetin koreano-jugor Seul, teksa mijëra njerëz u ngjeshën në rrugët e ngushta për të festuar Halloween.

Të paktën 59 njerëz kanë humbur jetën teksa kërkonin të celebronin “festën e tmerrit”, njoftonin autoritetet, duke shtuar se rreth 150 të tjerë janë plagosur.

Shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë ende i ditur por raportimet thonin se shumë njerëz kishin humbur ndjenjat mes grumbullimeve të pakontrolluara.

Agjencia vendase Yonhap tha se njerëzit kishin pësuar “atak kardiak,” për arsye të panjohura.

Ndërsa zyrtarët e emergjencës thanë se të paktën 81 vetë nga zona kishin telefonuar për të raportuar ”vështirësi në frymëmarrje”.

Policia ka izoluar zonën Itaevon ku ndodhi tragjedia teksa imazhet e rënda në media tregojnë dhjetra njerëz të shtrirë në rrugë pa ndjenja.

Presidenti Yoon Suk Yeol ka dërguar grupet e katastrofës mjekësore në zonën e incidentit.

Autoritetet kanë kërkuar lirimin e krevateve të spitaleve pranë zonës teksa reagimi ndaj katastrofës vijon.