Ushqimi i sigurt, vendi ka ecur një hap përpara

Është arritur progres i caktuar në vendosjen e ushqimit, ushqimit të kafshëve dhe nënprodukteve të kafshëve në treg, si dhe në lidhje me rregullat e sigurisë ushqimore, konstaton Komisioni.

Raporti gjithashtu vë në dukje përparimin në masat e kontrollit të sëmundjeve të kafshëve, por mbetet një shënim për dobësitë e identifikuara në lidhje me mbledhjen, analizën dhe verifikimin e të dhënave.

Sipas KE-së, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) është sërish ndër institucionet në vend që ka marrë vlerësimin më të lartë.

“Komisioni Evropian i dha një vlerësim të lartë AUV-së për nivelin e arritur të gatishmërisë në proceset eurointegruese për kompetencat që ka në Kapitullin 12 – Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare për periudhën qershor 2021- qershor 2022, duke e llogaritur atë ndër institucionet në vend që kanë marrë vlerësimin më të lartë. Lidhur me punën tonë, KE-ja vlerëson se Agjencia e kryen punën e saj në përputhje me standardet e menaxhimit të cilësisë. Në aspektin e mbrojtjes së konsumatorëve, nga ana tjetër, vlerësimi është pozitiv se institucioni ynë ka ndërmarrë masa për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve duke i zgjidhur ankesat e konsumatorëve”, thotë për AIM-n, drejtori i AUV-së, Nikollçe Babovski.

Ai thekson se rregullat higjienike të BE-së për prodhimin e ushqimit sigurojnë një nivel të lartë të sigurisë ushqimore.

“Vendi ynë, vlerëson Komisioni, ka një nivel të mirë përgatitjeje në fushën e sigurisë ushqimore dhe politikës veterinare. Është bërë një progres i caktuar, veçanërisht në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për sëmundjet e kafshëve. Për vitin e ardhshëm rekomandohet që shteti të zbatojë harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit për kontrollet zyrtare me legjislacionin e ri të BE-së në këtë fushë, si dhe rekomandohet fuqizimi i kapaciteteve për analizën e të dhënave në AUV”, sqaron drejtori.

Lidhur me rregullat e përgjithshme për sigurinë ushqimore, Maqedonia e Veriut, sipas KE-së, përgatiti ndryshime në Ligjin për Sigurinë e Ushqimit të harmonizuar me BE-në për kontrolle zyrtare, dhe Sistemin Kombëtar për Sinjalizim të Shpejtë për ushqimin dhe ushqimin e kafshëve, si dhe sistemet e revizionit të brendshëm dhe trajnimet e Agjencisë janë funksionale.

Reklama
Komisioni vlerëson gjithashtu se AUV zbaton programe mbikëqyrjeje për murtajën klasike të derrave, murtajën afrikane të derrit, lëkurën me gunga, tërbimin, si dhe për mbikëqyrjen e sëmundjeve te kafshët ujore, por duhet përmirësuar mbledhja, verifikimi dhe analiza e të dhënave.

Agjencia ka vazhduar me zbatimin e Programit për Monitorimin e Sigurisë Ushqimore, por të dhënat duhet të analizohen më tej, vlerëson Komisioni Evropian.