Sfidë ndaj Perëndimit, Irani pranon të furnizojë me raketa dhe dronë Rusinë

Irani ka premtuar të furnizojë me raketa dhe dronë Rusinë, sipas dy zyrtarëve të lartë  dhe dy diplomatëve iranianë, një veprim që ka të ngjarë të zemërojë Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore, sipas Reuters.

Marrëveshja u nënshkrua më 6 tetor kur zëvendëspresidenti i Iranit, Mohammad Mokhber, dy zyrtarë të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit dhe një zyrtar nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare vizituan Moskën për bisedime me Rusinë rreth dorëzimit të armëve.

“Rusët kërkuan më shumë drone dhe raketa balistike iraniane, veçanërisht raketat Fateh dhe Zolfaghar”, tha një nga diplomatët iranianë.

Një zyrtar perëndimor i informuar për këtë çështje e konfirmoi lajmin, duke thënë se ekzistonte një marrëveshje midis Iranit dhe Rusisë për të furnizuar Rusinë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi tokë-tokë, duke përfshirë Zolfaghar.

Diplomati iranian hodhi poshtë pohimet e zyrtarëve perëndimorë se dërgesa të tilla shkelin një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 2015.