Nga Xhemi Hajredini
Strugë, 6 tetor 2022
10 vjetë më parë, më 6 tetor 2012, ndërroi jetë, intelektuali,publicisti, filozofi, nëpunësi i administratës së Komunës së Strugës, por mbi të gjitha një njeri i urtë dhe me plot kulturë, Halil Hyseini.
Që emri i tij të mos harrohet duhet theksuar se veprimtaria e Halilit ishte e bujshme si në fushën e publicistikës njashtu edhe në atë shkencore dhe artistike.
Në këtë 10-vjetor të kalimit të tij në amshim, mirë është të kujtojmë se Halil Hyseini ishte dhe mbetet një nga intelektualët më të njohur strugan. Sot është e vështirë të takosh njerëz të thjeshtë e të përgatitur profesionalisht si Halili.
Halil Hyseini lindi në Frëngovë të Strugës, në vitin 1948. Studimet e filozofisë i kreu në Shkup. Ndonëse filozofia ishte vokacioni i tij, ai pothuaj nuk u mor fare me atë profesion, por shkathtësinë e tij prej një oratori të jashtëzakonshëm e ushtroi nëgazetari. Së pari punoi në RTV-në e Shkupit, pastaj, deri nëvitet e 90-ta, në Televizionin e Kosovës, ku mori titullin profesional komentator, për të përfunduar karrierën e tij si gazetar pranë Radios “Evropa e Lire” në Pragë. Shqiptimin e fjalëve, gjuhën e pastër dhe të pasur që përdorte do t’ia kishte zili çdo gazetar edhe në ditët e sotme.
Jeta e struganit me kulturë të lartë ishte dinamike.
Ai u mor edhe me pikturë. Përdori teknikë origjinale duke krijuar ciklin e punimeve që kritiket e quajtën “Objekt i ri”, kurse ai vetë i quajti “Saçizëm”. Piktorja dhe studiuesja e artit, Lumturi Blloshmi, në ekspozitën e saçizmit që u mbajt në Tiranë, deklaroi se ky piktor filozof ka krijuar një hapësirë kozmike ku në Universin e tij çdo njeri zhytet në një mbretëri, ku detet e fjalëve dhe aktet e një logjike të ftohtë metalike zbërthejnë dramat e fatkeqësive njerëzore.
Halil Hyseini është autor edhe i përmbledhjes me poezi, edhe kjo në stilin e tij të veçantë, e titulluar “Rrëmujë e paqë”, e botuar në vitin 2002. Ai u mor edhe me disa kërkime shkencore lidhur me rrënjët e gjuhës shqipe dhe lidhjen e saj me gjuhën më të lashtë sanskrite.
Halili ishte edhe një nëpunës i shkëlqyer i administratës së Komunës së Strugës, ku i kaloi disa vite deri sa doli në pension.
Pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare, më 6 tetor 2012.
Le t’i zëmë në gojë dhe le t’i kujtojmë intelektualët, veprimtarët dhe ambasadorët e vlerave të bukura strugane.
Halil Hyseini (1948 – 2012)