Tragjedi në stadiumin e Indonezisë, 179 viktima pas ndeshjes së futbollit

Të paktën 179 persona kanë vdekur pas një kaosi që u shkaktua pas një ndeshjeje futbolli në kampionatin elitar indonezian, thonë zyrtarët, në një nga tragjeditë më të rënda sportive në botë. Dhuna dhe kaosi u përshkallëzua pasi policia përdori gaz lotsjellës ndaj tifozëve të cilët u futën në fushë me të përfunduar ndeshja.

Përballja e dy rivalëve të futbollit indonezian Arema FC dhe Persebaya Surabaya shkaktoi edhe 180 të plagosur. Vendasit e Arema e humbën ndeshjen me rezultat 2-3.

Autoritetet thanë se rreth 4 mijë shikues ishin më shumë sesa kapaciteti maksimal i stadiumit. Stadiumi “Kanjuruhan” ka kapacitet prej 38 ulësesh por ishin shitur 42 mijë bileta.

Videot tregojnë tifozët vendas që vrapojnë në fushë pas fishkëllimës së fundit së gjyqtarit. Sipas njoftimeve të para, ata vrapuan për të kërkuar llogari tek lojtarët e Arema për rezultatin. Policia nxitoi të mbronte lojtarët por gjatë kësaj kohe pati edhe gaz lotsjellës.

Pas kësaj, situata doli nga kontrolli, me tifozët që filluan të sulmojnë policët dhe të shkatërrojnë veturat e tyre si dhe stadiumin.

Tifozët mësyn nga një daljeje e vetme duke bërë që të shtypnin njëri-tjetrin si dhe të kishte mungesë oksigjeni.

Videot në rrjetet sociale tregojnë fansat duke u kapur mbi gardhe për të shpëtuar. Po ashtu, në to shihen edhe trupa të pajetë në tokë.

Federata e Futbollit indonezian (PSSI) tha se kishte nisur një hetim, duke shtuar se incidenti kishte “njollosur fytyrën e futbollit indonezian”.

Dhuna në ndeshjet e futbollit nuk është e re në Indonezi dhe Arema FC dhe Persebaya Surabaya janë rivalë prej kohësh.

Tifozëve e Persebaya Surabaya nuk iu lejua të blejnë bileta për shkak të frikës nga përplasjet.

Presidenti indonezian Joko Widodo kërkoi që kjo të ishte “tragjedia e fundit e futbollit në vend” pasi urdhëroi që të gjitha ndeshjet e Liga 1 të ndërpriteshin në pritje të një hetimi.

Dhuna në stadiume ka ditur të shkaktojë tragjedi të rënda.

Kështu, në vitin 1964, gjithsej 320 njerëz u vranë dhe më shumë se 1000 u plagosën gjatë një rrëmuje në një ndeshje kualifikuese olimpike Peru-Argjentinë në Lima.

Në Angli, 97 tifozë të Liverpoolit u shtypën për vdekje në 1989 në stadiumin Hillsborough në Sheffield.