Maqedonia dhe Bullgaria, larg marrëveshjes për blerjen e rrymës. Qeveria kërkon të blejë rrymë për 200 euro për megavat orë. Përkundër paralajmërimeve të autoriteteve se me Sofjen do të arrihet marrëveshje për çmim të pandryshueshëm të rrymës, kjo nuk u arrit as pas takimit të dy presidentëve Pendarovski e Radev sot në Sofje. Nga kabineti i Pendarovskit thonë se pala bullgare insiston çmimi që do ta shes ndaj Maqedonisë të jetë ekskluzivisht sipas rregullativës evropiane.
“Të dy presidentët shkëmbyen informacione rreth gjendjes me krizën energjetike dhe mënyrat për përballje me të. Në takim u shkëmbyen mendime rreth mundësive për blerje të energjisë elektrike nga Republika e Bullgarisë, me respektim të rregullativës evropiane”, thanë nga Kabineti I Presidentit.
Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi në emisionin 360 gradë ishte optimist se do të arrihet marrëveshje për blerje të energjisë elektrike me çmim fiks, për 24 orë dhe deri në fund të muajit prill. Bekteshi nënvizoi se në asnjë mënyrë nuk do të pranohet të paguhet energji me çmimin bazë që është në bursa.
“Ja ekskluzivisht për emisionin tuaj, sot I kishim bisedimet e fundit me palën bullgare , ku ishin përfshirë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe nga Bashkësia Energjetike dhe ajo që e thoshte deri në këtë moment Qeveria bullgare nuk qëndron, pasi kemi leje nga Komisioni Evropian që të kemi marrëveshje bilaterale edhe atë në përputhje me rregullat e KE”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i ekonomisë.
Për kompanitë më të mëdha që e blejnë energjinë elektrike me çmime të bursës dhe që arrijnë mbi 500 euro për megavat orë, ndonjëherë edhe rreth 800 euro, paraqitet rrezik për mbylljen e tyre. Një pjesë e kompanive të mëdha tashmë e kanë vendosur çelësin për shkak të krizës, dhe në këtë situatë rritet paqartësia për punën e tyre të mëtejshme./Alsat.mk