Rezultatet e referendumeve të rrejshme në Ukrainë janë të pavlefshme dhe Maqedonia e Veriut nuk do t’i njohë. Ky është qëndrimi i shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, pasi presidenti rus, Vladimir Putin i nënshkroi dekretet për bashkimin e repubikave të vetëshpallura popullore Donetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhija me Rusinë, pas referendumeve të mbajtura të cilët Ukraina dhe Perëndimi i cilësuan të rrejshme, transmeton Portalb.mk.
“I dënojmë ashpër “referendumet” në Ukrainë të cilët paraqesin shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare. Rezultatet janë të pavlefshme dhe nuk do të pranohen nga Maqedonia e Veriut. E mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Presidenti rus, Vlladimir Putin, sot pasdite në sallën e Shën Gjergjit në Kremlin ka mbajtur fjalim në të cilin e ka shpallur aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhija, në të cilat u mbajtën referendume, të cilat Perëndimi i quajti të manipuluara. Duke përsëritur pretendimet se Ukraina i përket Rusisë, ai thotë se Perëndimi thjesht po kërkon mënyra për të thyer Rusinë duke mbështetur Ukrainën në luftën e saj për pavarësi.
Putin iu drejtua Ukrainës dhe Perëndimit me fjalët se qytetarët e rajonit të Donbasit do të bëhen qytetarë rusë përgjithmonë.
“Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe Rusia do të mbrojë tokën e saj me të gjitha mjetet që Rusia ka për të siguruar jetesë të sigurt për popullin tonë. Rusia do të rindërtojë rrënojat në qytete dhe fshatra dhe do të zhvillojë infrastrukturën, kujdesin shëndetësor dhe arsimin”, tha Putin.
Nëse Rusia anekson katër rajonet ukrainase, Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë.
Ndryshe, Ukraina është nën agresionin rus që nga 24 shkurti i këtij viti.